Maqedoni
Kazerma ushtarake - Veles, ushtarët dhe nënoficerët bënë betimin
24.08.2023 16:06
Në kazermën “Alekso Demnievski Bauman” në Veles është mbajtur ceremoni me rastin e promovimit të 120 nënoficerëve...

Në kazermën “Alekso Demnievski Bauman” në Veles është mbajtur ceremoni me rastin e promovimit të 120 nënoficerëve të rinj në gradën rreshter, mes tyre edhe katër vajza dhe betimit solemn të 150 ushtarëve profesionistë, mes të cilëve 14 gra. Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrova theksoi se kjo tregon gatishmërinë tonë që ta mbrojmë shtetin dhe qytetarët e vendit.
“Ndërtimi i qendrueshmërisë si një nga konceptet kyçe të NATO-s duhet të fillojë gjithmonë me një qasje personale. Gatishmëria jonë për t'iu përgjigjur shpejt, me efikasitet dhe në mënyrë të shkëlqyer çdo situate tregon në fakt gatishmërinë tonë për të përmbushur detyrimet dhe për të mbrojtur shtetin dhe qytetarët tanë. Dhe pikërisht për këtë, pavarësisht nga të gjitha sfidat me të cilat përballet shoqëria jonë, si ministre gjithmonë bëj përpjekje shtesë për të përmirësuar ushtrinë në tërësi, por sigurisht cilësinë e jetës së çdo individi në të.”, tha ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrova.
Petrovska bën me dije se në një kohë relativisht të shkurtër kanë bërë të mundur dyfishimin e buxhetit të mbrojtjes, prokurimin e pajisjeve dhe armatimeve moderne, rikonstruksionin dhe rivitalizimin e objekteve dhe infrastrukturës me interes strategjik. Avancimin solemn të ushtarëve profesionistë e uroi edhe zëvendësshefi i Shtabit të ARM-së, gjeneralmajor Azim Nuredin, i cili posaçërisht i vlerësoi tre nënoficerët më të mirë të rangut për përpjekjet dhe suksesin e arritur.
“Ushtarë profesionistë, me aktin e sotëm të betimit bëheni pjesë e Ushtrisë, e cila vazhdon të jetë një institucion me besimin më të madh nga qytetarët. Të jesh ushtar dhe pjesëtar i ushtrisë për një të ri do të thotë krenari, por në të njëjtën kohë përgjegjësi, sakrificë, përkushtim dhe besnikëri.”, tha gjeneralmajor Azim Nuredin.
Nënoficerët më të mirë u shpallën rreshteri i rangut të parë Dimçe Vakadinski, nënoficeri i rendit të dytë Filip Angelkovski dhe rreshteri i rendit të tretë Aleksandar Trajkoviç.
SEDAT SELIMI
