Struga humb ndeshjen e parë me Breidablik

25.08.2023 11:51

Kampionia e Maqedonisë së Veriut në futboll, Struga TL e ka humbur ndeshjen e parë të fazës së plejofit në Ligën e Konferencës....

Kampionia e Maqedonisë së Veriut në futboll, Struga TL e ka humbur ndeshjen e parë të fazës së plejofit në Ligën e Konferencës. Struga, pësoi humbje të enjten në Ohër nga kampioni i Islandës, Breidabliku me rezultatin minimal 1:0. Skuadra shqiptare pati paraqitje të mirë ndaj Breidablikut dhe krijoi disa raste të mira shënimi, por nuk arriti të shënoj gol. Në fakt, Struga TL realizoi gol në minutën e 28-të me anë të Bunjamin Shabanit, por që u anulua pas rishikimit të sistemit VAR.
 
Golin e fitores në këtë përballje, Breidabliku e shënoi në minutën e 35-të. Ishte mbrojtësi i krahut të djathtë, Hoskuldur Gunnlaugsson, ai që shënoi pas një aksioni vetjak. Kampioni i vendit, ndeshjen e përfundoi me një lojtar më pak në fushë. Mesfushori Vangjel Zguro u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe e lëshoi fushën në kohën shtesë të takimit. Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave, luhet pas një jave në Islandë dhe Struga TL, ka gjasa për ta siguruar kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës për herë të parë në histori të klubit.