Maqedoni

Shtëpia përkujtimore “Nënë Tereza” në Shkup, Zeqiri hapë ekspozitë mozaikësh punuar me gurë

25.08.2023 14:58

Përmes copëzave të gurit në teknikën e Mozaikut, rektori i UNT-së Izet Zeqiri ka paraqitur jetën dhe veprën e Nënë Terezës....

Përmes copëzave të gurit në teknikën e Mozaikut, rektori i UNT-së Izet Zeqiri ka paraqitur jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Edhe pse ekonomist me profesion, figura humane e Gonxhe Bojaxhiut e ka motivuar autorin t’i realizojë me mjeshtëri dhe kreativitet të rrallë këto vepra artistike, të cilat ai i përktheu në një ekspozitë, të titulluar “Nënë Tereza - nga Shkupi në Kalkutë” që u hap në Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza” në Shkup.
 
“Jam munduar që veprën e Nënë Terezës përmes mozaikut, përmes gurit ta shpreh madhështinë, forcën, kontributin e Nënë Terezës, dhe jam munduar ta paraqes Nënë Terezën nga Shkupi deri në Kalkutë në të gjitha hapat e saj të punës së palodhur dhe kontributit që ka dhënë ajo.”, - theksoi rektori i UNT-së, Izet Zeqiri.
 
Këtë ekspozitë e vlerësuan lartë njohësit e fushës së artit. 
 
“Me ndërthurjen mjeshtërore të elementeve figurative, kontrasteve, ngjyrave, copëzave shumë-ngjyrëshe dhe materialeve të ndryshme, Zeqiri me ndjeshmëri vizualizon humanisten më të madhe të shekullit 20. Figura e Nënës Terezës në këto vepra përcillet edhe me objekte të ndryshme profane dhe sakrale duke filluar nga Çarshia e vjetër e Shkupit dhe Kalaja e qytetit të Shkupit.”, - u shpreh profesoresha universitare e artit, Jëlldëz Asani.
 
Drejtori i shtëpisë përkujtimore “Nënë Tereza”, Naser Curri, tha se madhështia e figurës së Nënë Terezës dëshmohet në atë që një numër i madh turistësh vizitojnë shtëpinë muze të saj.
    
“Është ndër muzetë më të vizituara jo vetëm në shtetin tonë, por edhe në Ballkan. Diku rreth 80 deri 100 mijë vizitorë kemi brenda vitit dhe kjo nuk është mirënjohje vetëm për ne si institucion, sepse arsyeja themelore e këtij numri të madh vizitorësh është pikërisht emri dhe personaliteti mbi të cilën është ngritur shtëpia përkujtimore.”, - deklaroi drejtori i shtëpisë, Naser Curri.
Për kryetaren e Shkupit, figura e Nënës Terezë paraqet nder dhe krenari për kryeqytetin.     
                 
“Duhet të udhëhiqemi nga ata të cilët para nesh kanë arritur të lënë gjurmë në kohë. Të mundohemi në përditshmërinë tonë të implementojmë të gjithë ato që ata na i kanë lënë si trashëgimi.”, - u shpreh kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
 
Kjo ekspozitë u hap në kuadër të aktiviteteve me rastin e shënimit të 113 vjetorit të lindjes dhe 36 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës.
 
BELINDA KOKA ADEMI