Botë
Vdekja e Prigozhinit, ShBA-ja akuzon Putinin për vrasjen
25.08.2023 15:37
Prigozhini mund të jetë vrarë nga një raketë tokë-ajër që ka rrëzuar avionin, thotë zëdhënësi i Pentagonit – ShBA....

Prigozhini mund të jetë vrarë nga një raketë tokë-ajër që ka rrëzuar avionin, thotë zëdhënësi i Pentagonit – ShBA. Presidenti rus Vlladimir Putin, dyshohet për vrasjen e Prigozhinit, pasi i njëjti dy muaj më parë udhëhoqi një rebelim kundër ushtrisë ruse. Prigozhini nuk u arrestua pas kryengritjes, por Putini e denoncoi kryengritjen si një “thikë pas shpine” dhe u zotua se do t’i ndëshkonte të gjithë “tradhtarët” e përfshirë.
“Vlerësimi ynë fillestar është se ka të ngjarë që Prigozhini të jetë vrarë. Ne vazhdojmë të vlerësojmë situatën. Nuk kemi asnjë informacion për të treguar tani, kemi vetëm raportimin e shtypit që thotë se ka pasur një lloj rakete tokë-ajër që rrëzoi avionin. Por, asgjë nuk është konfirmuar, tani për tani nuk mund të themi më shumë.”, - deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder.
Kremlini mohon të ketë dorë në vdekjen e Prigozhinit
Kremlini ka reaguar pas pretendimeve të ShBA-së se ishte lideri rus, Vladimir Putin, ai që urdhëroi vdekjen e liderit të grupit “Wagner”. Sipas Kremlinit, çdo akuzë se Rusia qëndron pas vdekjes së Prigozhinit, është një gënjeshtër absolute dhe se akoma nuk dihet nëse në mesin e pasagjerëve ka qenë edhe Prigozhini.
“Tani ka shumë spekulime rreth rrëzimit të avionit dhe rreth vdekjes tragjike të pasagjerëve të avionit, përfshirë Yevgeny Prigozhin. Sigurisht, në Perëndim, të gjitha këto spekulime vijnë nga një kënd i caktuar. E gjithë kjo është një gënjeshtër. Dhe këtu, natyrisht, është e nevojshme që kjo çështje të mbulohet ekskluzivisht në bazë të fakteve. Faktet janë ende të pakta, sepse ato ende nuk janë zbardhur gjatë veprimeve hetimore që po kryhen aktualisht.”, - theksoi sekretari i shtypit i presidentit rus, Dmitry Peskov.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës Volodymir Zelenski, tha se Prigozhini është shkaku i shumë jetëve të humbura në Ukrainë bashkë me Rusinë.
“Kaq shumë kanë vdekur për shkak të tij, për shkak të Rusisë duke përfshirë Prigozhinin dhe mercenarët e tij. Nuk mund të them asgjë të mirë për ata njerëz. Ushtarët tanë u treguan të gjithëve se ata janë lloj i njëjtë i armikut.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Hetuesit janë duke analizuar rrënojat e avionit privat që i përkiste grupit “Wagner”, i cili u rrëzua gjatë rrugës për në Shën Petersburg nga Moska, duke mos lënë asnjë pasagjer të mbijetuar.
FARIJE DAUTI BAKIJU
