Botë
Trump publikon foton e tij në burg
25.08.2023 16:55
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u dorëzua në burgun e Fultonit në Atlanta...

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u dorëzua në burgun e Fultonit në Atlanta, pasi u akuzua për 13 vepra penale, si pjesë e një padie që rrjedh nga përpjekjet e tij për ta përmbysur humbjen e tij në Xhorxhia gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.
Pas dorëzimit të tij, në media u publikua fotografia e regjistrave policore, që e bën Trumpin ish-presidentin e parë në histori të ShBA-së me fotografi të tillë. Trump u largua nga burgu rreth 20 minuta pasi hyri dhe u nis drejt aeroportit Hartsfield-Jackson të Atlantës, ku avioni i tij privat po e priste për ta kthyer atë në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi. 77 vjeçari tashmë ka hyrë në një territor të paeksploruar duke u bërë ish-presidenti i parë i ShBA-së që përballet me akuza penale, megjithëse katër rastet e ngritura kundër tij nuk e kanë dëmtuar statusin e tij si favorit në garën për nominimin republikan për ta sfiduar presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit të vitit të ardhshëm për presidencë. Pasi u dorëzua në burgun në Atlanta, Trump u rikthye në platformën X, më herët të njohur si Twitter, duke publikuar mesazhin e parë pas më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai e postoi fotografinë e tij të bërë në burg, të cilës ia bashkëngjiti fjalët “Ndërhyrje në zgjedhje. “Nuk dorëzohem kurrë!".”
