Botë

Ukrainë, Zelensky: Zgjedhjet mund të mbahen pas një viti

28.08.2023 14:40

Zgjedhjet në Ukrainë nuk do t’i mbajë me fondet nga armatimi i luftës, as duke marrë kredi...

Zgjedhjet në Ukrainë nuk do t’i mbajë me fondet nga armatimi i luftës, as duke marrë kredi, tha presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky. Ai përsëri kërkoi ndihmën e ShBA-së dhe BE-së, pasi sipas tij, Ukraina është mbrojtës i demokracisë për të gjithë botën.
 
“Ju thash, nëse Evropa dhe ShBA-ja na japin ndihmë financiare, më falni, por nuk do të mbaj zgjedhje me kredi, nuk do të marr të holla nga fondi i armatimeve dhe të jap për zgjedhje. Nëse më jepni mbështetje financiare, nëse parlamentarët kuptojnë që duhet ta bëjmë këtë, atëherë duhet menjëherë ta ndryshojmë legjislativen dhe çka është më e rëndësishmja, bashkë do të rrezikojmë. Por, zgjedhje mund të mbajmë vitin tjetër.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky.
 
Ndërkohë, luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në shumë qytete të Ukrainës. Rusia e sulmoi rajonin Poltava në lindje të Ukrainës, duke i vrarë dy persona dhe duke goditur objekte banimi. Mediat e Ukrainës paralajmëruan sulme në Krivirih, por banorët në pjesën verilindore të Ukrainës, aty ku janë hapur fronte lufte, injorojnë thirrjet për evakuim.
 
“Sigurisht që jemi të shqetësuar, por nuk mund të them se këtu ka granatime të fuqishme, pak më larg po, i dëgjojmë shpërthimet,por jo në zonën tonë. Dëgjojmë gjithashtu vazhdimisht sirenat. Ndoshta jemi mësuar gjatë gjithë kësaj kohe. Unë jam punëtore mjekësore. Këtu kemi mbetur pak veta, pjesa dërrmuese e kanë lëshuar vendin, por unë dhe bashkëshorti im vendosëm të qëndrojmë.”, - tha një banore.
 
“Njerëzit janë të hutuar, dikush dëshiron të largohet, dikush ka vendosur të qëndrojë. Nuk mund të flemë natën, sepse ka shumë zhurmë granatimesh. Më herët ishte më qetë. Tani do të ikim, por motra ime me bashkëshortin vendosën të qëndrojnë.”, - u shpreh një banore tjetër.
 
Ushtria ukrainase tha se forcat e saj po e vazhdojnë ofensivën drejt qytetit strategjik Melitopol në jug të rajonit Zaporizhja. Melitopoli, është një pikë jetike transiti për forcat ruse dhe një pikë kyçe lidhëse me të ashtuquajturën “ura tokësore” mes Krimesë së aneksuar nga Rusia dhe pjesëve lindore të Ukrainës të zaptuara nga Rusia.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU