Botë
Polonia dhe vendet baltike: Bjellorusia t’i dëbojë luftëtarët rusë
28.08.2023 18:12
Polonia dhe vendet baltike i kanë bërë thirrje të hënën Bjellorusisë ta përzë nga vendi grupin mercenar rus, “Wagner”...

Polonia dhe vendet baltike i kanë bërë thirrje të hënën Bjellorusisë ta përzë nga vendi grupin mercenar rus, “Wagner”, luftëtarët e të cilit janë duke u strehuar atje pas kryengritjes së dështuar kundër Moskës.
“Ne i kemi kërkuar regjimit të presidentit bjellorus Alyaksandar Lukashenka ta dëbojë menjëherë nga Bjellorusia grupin “Wagner””, tha ministri i Brendshëm i Polonisë, Maricusz Kaminski, pas një takimi me homologët e vet nga Lituania, Letonia dhe Estonia.
Polonia thotë se mijëra luftëtarë të “Wagnerit” ndodhen në Bjellorusi, e cila kufizohet me Rusinë, Ukrainën dhe Poloninë.
Lideri bjellorus Lukashenka, së fundmi tha se do t’i mbajë 10.000 trupa të “Wagnerit” në vendin e tij.
“Mijëra, disa prej të cilëve janë kriminelë të liruar nga burgjet ruse në shkëmbim të një premtimi për të luftuar në Ukrainë, janë thellësisht të demoralizuar dhe akuzohen për krime kundër njerëzimit.”, tha Kaminski.
