Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, LSDM: Zgjerimi në 2030, t'i mposhtim bllokimet e DPMNE-së
29.08.2023 14:50
LSDM-ja vazhdon me thirrjet për kapërcimin e bllokimit të ndryshimeve kushtetuese nga VMRO-DPMNE-ja....

LSDM-ja vazhdon me thirrjet për kapërcimin e bllokimit të ndryshimeve kushtetuese nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas tyre, në Forumin strategjik të Bledit u dha mesazh i qartë politik se zgjerimi i ri i Bashkimit Evropian do të jetë në vitin 2030 dhe kjo mundësi nuk guxon të humbet. Nga LSDM-ja i quajnë të pavërteta pretendimet e VMRO-DPMNE-së se do të ketë kërkesa të reja për ndryshime kushtetuese.
“Për ne si shtet që i ka filluar negociatat dhe po e përfundon skriningun është një arsye plotësuese se pse nuk guxojmë të lëshojmë këtë shans. Tentimet për bllokada nga DPMNE-ja nuk guxojmë t’i lejojmë të ndodhin, nuk guxojmë që vetvetiu të bllokohemi në rrugën drejt BE-së. Prandaj është e nevojshme të sjellim vendime të rëndësishme shtetërore për ndryshimin e Kushtetutës dhe të vazhdojmë pa pengesa të mëtutjeshme në BE. Të rrejshme janë tezat e VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit se do të ketë kërkesa të reja për ndryshime tjera kushtetuese.”, - deklaroi Darko Kaevski nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Qëndrimi ynë është i pandryshuar
Përshtypjet dhe konkluzionet e Forumit strategjik të Bledit, VMRO-DPMNE nuk i sheh njëjtë. Sipas tyre, mesazhet e këtij forumi lanë njëkohësisht të kuptohet se fillimisht do të ketë reformim të BE-së, pastaj zgjerim.
“Nga njëra anë patëm mundësinë të dëgjojmë deklarata të tilla për zgjerimin deri në afat të caktuar, por nga ana tjetër, gjithashtu nga përfaqësues të lartë nga bashkësia ndërkombëtare patëm mundësi të dëgjojmë deklarata ku thuhej se, fillimisht duhet të reformohet BE-ja dhe pastaj të mendohet për zgjerim dhe ky është thelbi që VMRO-DPMNE-ja e thotë në kontinuitet. Pushteti ka hyrë në proces për të cilin nuk mund të sigurojë shumicë në Kuvend, nuk e ka konsultuar opozitën dhe për këtë arsye qëndrimi i VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar.”, - theksoi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
Në përpjekje për të bindur partinë më të madhe opozitare maqedonase është aktivizuar diplomacia ndërkombëtare. Por, VMRO-DPMNE-ja nuk po lëviz nga qëndrimi, gjë që i reflektua edhe pas vizitës së lartë të diplomatit të lartë amerikan për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar. Ndërkohë, janë paralajmëruar edhe vizita të zyrtarëve të tjerë evropian deri në momentet e fundit kur vendi duhet t’i ketë miratuar ndryshimet kushtetuese.
FLORIJE KAMBERI
