Maqedoni

Qytetarët nuk i njohin të drejtat e konsumatorit, më shpesh raportohen mashtrime online

29.08.2023 15:26

Qytetarët kanë përvoja të këqija sa i përket cilësisë së produkteve, gjithashtu edhe pamundësi për ta kthyer ose ndërruar produktin e blerë.....

Qytetarët kanë përvoja të këqija sa i përket cilësisë së produkteve, gjithashtu edhe pamundësi për ta kthyer ose ndërruar produktin e blerë. Mënyrë e shpejt e jetesës ka bërë që qytetarët të blejnë më shpesh online, por kjo sjellë disa rreziqe. Personat e mashtruar, ankesat mund t’i paraqesin tek organizata e konsumatorëve dhe inspektimi i tregut.
 
“Në një rast të tillë, për momentin mund të paraqitet në departamentin e krimit kibernetik të MPB-së për mbylljen e këtyre portaleve, por kjo nuk mund t'ua kthejë paratë, sepse as inspektimi i tregut, i cili në një farë mënyre zbaton ligjin e konsumatorit, në një rast të tillë nuk mund të veprojë, sepse nuk ka llogari fiskale, nuk ka faturë, pra është fjala për portalet prapa të cilave zakonisht qëndrojnë disa persona fizikë.”, - theksoi këshilltarja juridike në organizatën e konsumatorëve, Tatjana Tasevska. 
 
Organizata e konsumatorëve thotë se qytetarët nuk duhet të porosisin produkte nga kompani dhe persona të paverifikuar. Ata apelojnë që të informohen nëse do të marrin ndonjë dokument për produktin në mënyrë që më vonë të ushtrojnë të drejtat e tyre. Gjithashtu, edhe qytetarët ende ankohen se çmimet në raftet në markete dhe çmimet gjatë pagesës në arkë nuk janë të njëjta.
 
“Disa produkte ishin në aksion, shkova tek arka për të paguar dhe me kërkuan një shumë tjetër. Unë u them se kjo ishte në aksion, ata më thanë se po, është ende në aksion dhe pagova një çmim sikur të mos ishte në aksion.”, - tha një qytetar.
 
“Çmimet janë katastrofë, sot i sheh, kanë një çmim, nesër shikon një çmim tjetër.”, - tha një qytetar tjetër.
 
Nga organizata e konsumatorëve të Maqedonisë thonë se qytetarët nuk janë aspak të njohur me të drejtat e tyre që kanë si konsumator, andaj ankesat më të shpeshta nga qytetarët vijnë në lidhje me mashtrimet online me të cilat ballafaqohen dhe nuk janë të informuar se tek organizata e konsumatorëve mund t’i raportojnë çmimet e larta apo ndonjë gjë që lidhet me çmimet në tregje në përgjithësi.
 
SEDAT SELIMI