Maqedoni
Shuhet zjarri në Beljakovc dhe Rugnicë, tre shtëpi u përfshinë nga flakët, s’ka viktima
29.08.2023 16:04
Tre shtëpi janë përfshirë nga flakët mbrëmë pranë fshatit të Beljakovcës dhe Rugnicës....

Tre shtëpi janë përfshirë nga flakët mbrëmë pranë fshatit të Beljakovcës dhe Rugnicës. Qytetarët janë evakuuar me kohë në mënyrë të sigurt, thotë drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov. Sipas tij edhe pse, shmanget shuarja e zjarreve gjatë natës në hapësira të hapura, kësaj radhe kanë qenë të detyruar të luftojnë me flakët e zjarrit pikërisht gjatë natës.
“Kishte rrezik që të përfshihen edhe shumë shtëpi. Bëhet fjalë për fshatin e llojit të zhvilluar, pra në një kodër disa shtëpi, në tjetrën disa të tjera. Qytetarët u evakuuan jashtë shtëpive të tyre në një hapësirë të sigurt. Në disa vende kishim problem sepse disa qytetarë nuk dëshironin t’i linin shtëpitë duke dashur t’i mbrojnë, por vërtetë zjarri kishte dimension të madh dhe kishte mundësi që të jenë të rrezikuar. Kërkova edhe ekipe të policisë, si dhe të ndihmës së shpejtë për çfarëdo lloj situate. Por, sidoqoftë, falë intervenimit të guximshëm të ekipit të zjarrfikësve, zjarri u shua tërësisht.”, - deklaroi drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov.
Vendi ka burime për t'u përballur me zjarret, thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza, por ka mungesë të zjarrfikësve, sidomos në kryeqytet. Nga viti 2021 e deri më tani, Ministria e Punëve të Brendshme ka regjistruar 265 zjarrvënie. Prej tyre, 81 janë zbardhur dhe ndaj autorëve janë paraqitur parashtresat përkatëse. Nga MPB-ja thonë me qëllim që të mos rrezikohet asnjë jetë njerëzore, ata janë aktivë në terren edhe me helikopter për shuarjen e zjarreve.
“Ne si Ministri e Punëve të Brendshme në koordinim me institucionet tjera, punojmë në zgjedhjen e këtyre rasteve, ndërsa pos kësaj, qytetarët e dinë se ne jemi aktivë edhe në shuarjen e zjarreve. Helikopterët tanë gjatë gjithë kohës janë në terren dhe qytetarët mund t’i shohin. Ne gjithashtu u dërgojmë edhe video-materiale nga puna jonë e kryer me qëllim që zjarret të shuhen në kohë dhe të mos rrezikohet asnjë jetë njerëzore, si dhe asnjë objekt, qytet apo fshat. Fatkeqësisht periudhën e fundit kishte disa zjarre pranë disa zonave të banuara, por fat i mirë është se ato janë shuar në kohë dhe nuk kemi asnjë person të lënduar apo ndonjë viktimë.”, - theksoi Toni Angelovski nga MPB-ja.
Institucionet kompetente apelojnë që qytetarët të jenë shumë të kujdesshëm, të mos digjet kashta, si dhe të mos hidhen bishtat e cigareve.
BELINDA KOKA ADEMI
