Botë

Sulme ruse në Ukrainë, dhjetëra viktima në Kherson dhe Donjetsk

29.08.2023 17:15

Nga sulmet ruse jetën e kanë humbur të paktën dhjetë persona në Ukrainë....

Nga sulmet ruse jetën e kanë humbur të paktën dhjetë persona në Ukrainë. Në rajonin e Donjetskut u raportuan pesë viktima dhe katër të plagosur, ndërsa në fshatin Dalne të Khersonit u vranë dy persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Gjithashtu në brendi të qytetit Kherson u shkatërruan disa zona banimi dhe ndërtesa parashkollore. Nga një person u vranë në zonat Toretsk, Lyman dhe Velyka Novosilka, njoftuan autoritetet ukrainase. Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodymyr Zeleski, njoftoi se Ukraina shumë shpejt do të prodhojë armatim.
 
“Kemi mbajtur një takim të veçantë me përfaqësuesit e Ministrisë së Industrive Strategjike dhe drejtuesit e objekteve të prodhimit vendas për prodhimin tonë të armëve në Ukrainë, pra artileri e prodhuar në Ukrainë. Predha të bëra në Ukrainë, drone, raketa, automjete të blinduara. Ne jemi duke maksimizuar kapacitetin prodhues. Financimi është i disponueshëm. Industria jonë e mbrojtjes do të japë rezultate më të mira.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Ndërkohë, në Rusi kreu i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, varroset në varrezat Serafimovsky të Shën Petersburgut. Gazetarët nuk kanë qasje në varreza dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar për varrimin e tij. Presidenti Putin nuk do të  marrë pjesë në varrim.
 
"Prania e presidentit nuk është parashikuar, ne nuk kemi asnjë informacion specifikisht për funeralin. Vendimet për këtë çështje merren nga të afërmit dhe miqtë. Ne nuk mundemi të themi asgjë!", - theksoi zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov. 
 
Për popullin rus Yevgeny Prigozhin llogaritet hero edhe pse Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur grupin si një organizatë kriminale trans-nacionale.
 
“Për mua ata ishin heronj. Ata ishin shembuj për popullin rus, që dhanë jetën për vendin.”, - tha një shtetas rus.
 
“Pa “Wagner-in” gjërat do të shkojnë shumë më keq. Kjo është arsyeja pse ne jemi të pikëlluar tani. Është një humbje kaq e madhe.”, - tha një shtetas tjetër rus.
 
Ditë më parë presidenti Zelensky, tha se Prigozhin, ishte fajtor për vdekjen e mijëra njerëzve të pafajshëm. Themeluesi i “Wagner-it”, Yevgeny Prigozhin, vdiq në një aksident avioni javën e kaluar.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU