Botë

Liberalizimi i vizave, Osmani: Pezullimi do ta vriste dialogun

30.08.2023 13:06

Pezullimi eventual i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës...

Pezullimi eventual i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës, nga një janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke reaguar ndaj deklaratës se presidentit francez, Emmanuel Macron, se Franca do t’i rishikojë zotimet për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.
 
“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet në aso mënyre. Unë besoj shumë se nuk do të vijë deri te ajo punë. Kosova i ka plotësuar e stërplotësuar kriteret.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Osmani tha se Kosova ka arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për çtensionim të situatës në veri që nga 10 korriku në Bratisllavë. Baza ligjore për mbajtje të këtyre zgjedhjeve do të jetë gati më një shtatori dhe pret që BE-ja t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ajo i ka vlerësuar si të padrejta dhe joproporcionale. Por, Bashkimi Evropian i ka përsëritur kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë për ndërmarrjen e hapave që u është kërkuar atyre për t’i krijuar kushtet për vazhdimin e dialogut. I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog Miroslav Lajçak, po i vazhdon takimet me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë për të përgatitur takimin e radhës në kuadër të dialogut. Ai e ka përmendur muajin shtator si afat kur mund të ndodhë takimi i radhës, por jo edhe ndonjë datë të saktë.
 
GYLTENE SINANI