Maqedoni
UShKM fillon regjistrimin e studentëve, 10,475 vende të lira në 23 fakultete
30.08.2023 15:40
Në 23 fakultete të Universitetit “Shën Kirili e Metodi”-Shkup, sot dhe nesër janë të paraparë afatet e paraqitjes së kandidatëve...

Në 23 fakultete të Universitetit “Shën Kirili e Metodi”-Shkup, sot dhe nesër janë të paraparë afatet e paraqitjes së kandidatëve për regjistrim në vitin e parë për vitin paraprak akademik, ndonëse është në vijim aplikimi elektronik. Për vitin akademik 2023/2024, UShKM-ja në konkursin e tij ka paraparë 10,475 vende të lira, nga të cilat 5,074 për studentë të rregullt të financuar nga buxheti shtetëror, 4,439 për studentë të rregullt me bashkëfinancim të studimeve dhe 960 për studentë me korrespondecë, ndërsa mund të regjistrohen edhe studentë të huaj për të cilët ka një numër të caktuar varësisht nga programi studimor.
“Nuk mund të them saktësisht se si e parashikoj të ardhmen, sepse është diçka absurde të mendoj se çfarë mund të ndodhë saktësisht, por mund të them se më tërheqin shkencat natyrore dhe vendosa, pse jo?! Mes degës së drejtësisë dhe ekonomisë, vendosa të drejtohem në drejtësi.”, - tha një student.
“Jam regjistruar në fakultetin e drejtësisë, në marrëdhënie me publikun. Planifikoj të jem agjent Pi-ar, që d.m.th. në të ardhmen të jem asistent i ndonjë firme, atë plan kam, pastaj se di ku do të më dërgojë fati.”, - tha një studente.
Vetëm me menaxhim të mirë, me programe atraktive dhe të realizuara mirë, të rinjtë mund t’i mbajmë në vend duke mos ikur për studime jashtë vendit tonë. Të këtij mendimi janë profesorët e këtij universiteti.
“Duhet para se gjithash t’i mbajmë studentët këtu me programe interesante arsimore, që janë aktuale në tregun e punës. Kjo është rrjedhojë e procesit të globalizimit, ku Evropa veç më është bërë familja jonë e madhe dhe studentët tanë gjejnë punë edhe në perëndim. Kjo nuk duhet të paraqesë problem, derisa nuk i harrojnë lidhjet me vendin tonë.”, - theksoi një profesor.
Pas aplikimit për pranim, më 4 shtator do të publikohet renditja paraprake e rezultateve të suksesit të kandidatëve të shkollave të mesme. Në fakultetet, ku përveç suksesit të shkollës së mesme, ka edhe provim pranues, testimi i njohurive dhe aftësive është më 1 shtator dhe lista paraprake me rezultatet do të publikohet më 6 shtator. Ranglista përfundimtare e pranimeve në të gjitha fakultetet do të publikohet më datë 11, ndërsa më 12 dhe 13 shtator bëhet regjistrimi i kandidatëve, të cilët nga 1 tetori do të jenë studentë të UShKM-së.
FITORE DEMOLLI
