Maqedoni

Këshilli Gjyqësor, Lloga: Pas skandaleve vendosa të mos marr pjesë

30.08.2023 17:15

Pas akuzave të Këshillit Gjyqësor se ministri i Drejtësisë dhe kryetarja e Gjykatës Supreme...

Pas akuzave të Këshillit Gjyqësor se ministri i Drejtësisë dhe kryetarja e Gjykatës Supreme që janë anëtarë sipas detyrës zyrtare, nuk marrin pjesë dhe nuk informojnë Këshillin për mungesën e tyre në seancë, ka reaguar ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga. Sipas tyre, prezenca e ministrit të Drejtësisë në seanca pa të drejtë vote, nuk ndikon në miratimin e vendimeve dhe punën e Këshillit në pajtueshmëri me ligjin. Lloga rikujton edhe më herët disa ministra të Drejtësisë nuk kanë marrë pjesë në seancat e Këshillit Gjyqësor, për shkak të rekomandimit të GREKO-s për anulimin e anëtarësimit të ministrit të Drejtësisë në bazë të detyrës zyrtare në këtë trup.
 
"Siç është e paraparë në ligj, anëtarët e Këshillit sipas funksionit nuk marrin pjesë në punën e seancave të Këshillit që diskutojnë dhe vendosin për një procedurë të iniciuar për të përcaktuar përgjegjësinë, zgjedhjen ose shkarkimin e një gjykatësi ose kryetari  të gjykatës. Duke pasur parasysh se në periudhën e fundit ndodhën një serë parregullsish në punën e këtij organi, ku kredibiliteti i anëtarëve është rrënuar në masë të madhe, ndërsa besimi i qytetarëve ra në nivelin më të ulët, si dhe vizita e misionit vlerësues të BE-së, i cili skanoi situatën në Këshillin Gjyqësor, pas skandaleve dhe trazirave, vendosa të mos marr pjesë në seanca, ashtu siç atë e bënë kolegët e mi paraprakisht.", qëndron në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë. 
 
Lloga edhe më herët në një brifing për media kishte paraqitur nevojën e ndërhyrjes në Kushtetutë, ku do të largohet dispozita që parasheh që ministri i Drejtësisë të jetë anëtar në Këshillin Gjyqësor sipas detyrës zyrtare.
 
FLORIJE KAMBERI