Kosovë, qeveria i hap rrugë themelimit të gjykatës speciale

07.03.2015 15:58

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i dërgojë në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës dy amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për Kosovën...

Kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa, ka thënë se qeveria që drejton nuk ka të lehtë të marrë vendime të tilla, megjithëse ka thënë se edhe deputetët duhet të jenë ata që duhet votuar për të kryer këtë obligim ndërkombëtar.

Mustafa është shprehur i bindur në pastërtinë e luftës së UÇK-së. Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka thënë se është vendim i drejt kryerja e këtyre obligimeve në mënyrë që të zbardhet e vërteta rreth pretendimet të pa drejta që iu është bërë Kosovës, kështu që Kosova ta heq këtë re të zezë që po qëndron mbi shtetin e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mbështetur vendimin e Qeverisë për Gjykatën Speciale.”Krijimi i gjykatës reflekton angazhimin e Kosovës për një proces të pavarur dhe të paanshëm për t’u marrë me akuzat e raportit të Këshillit të Evropës në mënyrë kredibile. Kjo gjykatë do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit tonë për çlirim dhe liri” - thuhet në një deklaratë për media të presidentes Jahjaga.

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë ka mirëpritur kalimin nga ana e Qeverisë të amendamenteve kushtetuese që janë të nevojshme për themelimin e Gjykatës Speciale.

Ambasada Amerikane nëpërmjet një komunikate ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së zotimeve që Kosova i ka bërë në prill të vitit 2014 me rastin e Shkëmbimit të Letrave me BE-në.