Botë
Johanesburg, nga zjarri regjistrohen mbi 70 viktima
31.08.2023 12:00
Mbi 70 njerëz kanë vdekur nga zjarri në një ndërtesë shumëkatëshe në Johanesburg....

Mbi 70 njerëz kanë vdekur nga zjarri në një ndërtesë shumëkatëshe në Johanesburg, qytetin më të madh të Afrikës Jugore, njoftuan autoritetet. Shërbimi Emergjent i Johanesburgut tha mbi 52 persona të tjerë u lënduan nga zjarri, i cili u ndez në orët e hershme të 31 gushtit. Zëdhënësi i Shërbimit Emergjent, Robert Mulaudzi, tha një operacion i kërkimit ka nisur tashmë dhe se ka gjasa që numri i viktimave të rritet. Autoritetet thanë se zjarri është shuar në masë të madhe, por tymi ende është duke dalë nga dritaret e ndërtesës së nxirë në qendër të Johanesburgut.
"Tani për tani jemi duke u fokusuar në kryerjen e një kërkimi dhe rikuperimi në të gjitha katet. Aktualisht i kemi 73 të vdekur dhe 52 të lënduar, të cilët janë dërguar në qendra të ndryshme spitalore. Në mesin e viktimave është edhe një fëmijë. Po shkojmë nga kati në kat për t’i tërhequr trupat. Kjo është një ditë e trishtueshme për qytetin e Johanesburgut. Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë gjatë 20 vjetëve sa jam në shërbim.”, - deklaroi zëdhënësi i Shërbimeve të Menaxhimit Emergjent të Johanesburgut, Robert Mulaudzi.
Banorët mes frikës dhe ankthit kërkojnë familjarët e tyre, të tjerët rrëfejnë si arritën të ikin përmes flakëve.
"Çfarë di unë, familja ime ishte ende brenda. Dy vëllezërit e mi dhe motra. Kur erdha këtu, u përpoqa me të gjitha mundësitë për t'i gjetur ata, por nuk gjeta kurrë një prej tyre.”, - tha banori, David Alabi.
"Diçka shpërtheu në banesën ku qëndrojmë në katin përdhesë. Mendoj se ishte gaz. Ne arritëm të dilnim nga dyert e pasme.”, - tha një banor tjetër.
“Ishte shumë e vështirë për ne të dilnim, të tjerët kishin bllokuar korridoret me shtretër, por unë arrita të dal me fëmijët e mi, një 13 vjeç e një dy vjeç. Arritëm të dilnim, por thithëm mjaft tym, por të paktën ia dolëm të dilnim. Ajo që është shumë e trishtueshme është se të tjerët vdiqën brenda.", - u shpreh banorja, Nobuhle Zëane.
"Disa nga djemtë që gjeta këtu, ata dolën nga dritaret, gratë dhe fëmijët mbetën pas dhe ata vdiqën derisa ishin brenda.”, - u shpreh banorja, Irene Ntamba.
Ende nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin, ndërkohë që ndërtesa është evokuar plotësisht tashmë. Ndërtesa ishte “një vendbanim joformal”, ku njerëzit e pastrehë ishin zhvendosur në kërkim të akomodimit pa ndonjë marrëveshje kontrate formale. Sipas dëshmitarëve, në ndërtesë besohet se kanë qenë duke jetuar rreth 200 njerëz.
FARIJE DAUTI BAKIJU
