Maqedoni

Fajon për zgjerimin e BE-së: Do të kërkoj të bëjnë diçka më shumë

31.08.2023 13:44

Shefja e diplomacisë sllovene, Tanja Fajon, gjatë një takimi jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së...

Shefja e diplomacisë sllovene, Tanja Fajon, gjatë një takimi jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së në Toledo të Spanjës, ka kërkuar mbështetje për angazhimin për një zgjerim të ri të bllokut deri në vitin 2030 me vendet e Ballkanit Perëndimor. Një mundësi të tillë e paralajmëroi edhe kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel.
 
“Unë do t'i informoj kolegët e mi nga BE-ja se në Forumin Strategjik të Bledit u angazhuam që në vitin 2030 Bashkimi Evropian do të jetë gati për një zgjerim të ri dhe Ballkani Perëndimor ka një dritare të madhe mundësisht për t'u bërë gati për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Unë do t'u them ministrave teksa diskutojmë për zgjerimin në fqinjësi të bëjnë diçka më shumë për përfundimin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.”, - deklaroi zëvendëskryeministrja dhe ministrja  e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon. 
 
Varhei: Vendet të bëhen anëtarë kur të jenë gati
 
Ndërkohë komisionari evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varhei, thotë se deklarata e Mishel duhet kuptuar si një mesazh se Këshilli më në fund dëshiron të bëjë një hap të madh përpara në zgjerim.
 
“Unë nuk mendoj se është çështje datash, por më tepër çështje vullneti dhe po ashtu përmbushjet nga BE-ja, por edhe nga shtetet tona partnere nga Ballkani Perëndimor dhe tre vendet e tjera kandidate. Komisioni Evropian është i gatshëm të bëjë një propozim për të arritur zgjerimin. Do ta shihni që në tetor me planin gjithëpërfshirës, përfshirë një plan rritjeje, i cili do të përshpejtojë jo vetëm integrimin institucional, por edhe real të njerëzve dhe ekonomive në Bashkimin Evropian.”, - theksoi komisionari evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhei.
 
Shtetet që do të përmbushin kushtet më shpejt do t'i bashkohen BE-së së pari, theksoi komisionari evropian Varhei, duke këshilluar vendet kandidate që të shpejtojnë reformat për të cilat kanë mbështetjen e BE-së.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI