Botë

Lajçak: Përpjekje për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

31.08.2023 14:05

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut...

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve. Këtë qëllim kishte edhe takimi i së mërkurës i përfaqësuesit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe ai me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë në Slloveni. 
 
“Çështja kryesore e takimit ishin përgatitjet e takimit të ri të nivelit të lartë në dialogun në shtator, me fokus në normalizimin e raporteve dhe zbatimin e marrëveshjes së 3 qershorit.”, shkroi Lajçak në rrjetet sociale pas takimit me presidentin serb. 
 
Peach: Mbështesim dialogun për normalizim
 
Edhe i dërguari i Britanisë së Madhe për dialogun në Kosovë-Serbi, Stuart Peach, angazhohet për dialogun e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. 
 
“Mbështesim fuqishëm rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë moment ne vazhdojmë të mbështesim thirrjet e Bashkimit Evropian për de-përshkallëzim. Këtë e kam bërë vetë gjatë vizitave të mia dhe e theksoj edhe një herë se sa urgjente është të vazhdojmë me dialogun. Në historinë tonë dhe në përvojën time gati gjysmë shekullore në ushtri, është gjithmonë mirë të flasësh.”, është shprehur emisari britanik për N1.
 
Ai njëherit ka bërë thirrje për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore, ndërsa ka ftuar të gjitha partitë të marrin pjesë në ato zgjedhje.
 
Serwer: Escobar e Hill gabojnë kur mendojnë se Serbinë e çuan drejt perëndimit
 
Ndërsa, profesori i Universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer, vlerëson se emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill besojnë se e kanë “dërguar Serbinë drejt Perëndimit”, edhe pse sipas tij, faktet flasin qarta kundër. 
 
“Përshtypja ime është se Hill e Escobar janë të bindur se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, pavarësisht fakteve bindëse dhe të qarta për të kundërtën. Duket gjithashtu se i japin prioritet Serbisë, në mënyrë që ajo të lejojë dërgesën e armëve në Ukrainë.”, ka deklaruar Serwer. 
 
Ai po ashtu vlerëson se Washingtoni po hesht për shumë gjëra sa i përket Serbisë, përfshirë korrupsionin në nivele të larta, kërcënimet serbe për përdorim të forcës, sulmet e financuara nga Beogradi ndaj trupave të NATO-s, refuzimi i Vuçiqit për t’u angazhuar në zbatimin e marrëveshjes së arritur së fundmi në dialogun Kosovë – Serbi. 
 
GYLTENE SINANI