Maqedoni
Osmani për vizitë në Indi, takon Xhagdep Dhankar dhe Xhaishankar
31.08.2023 14:22
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, po qëndron në një vizitë zyrtare në Indi...

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, po qëndron në një vizitë zyrtare në Indi me ç’rast ka takuar zëvendëspresidentin e vendit, Xhagdep Dhankar.
Nga Ministria e Jashtme thonë se në takim u përshëndetën marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, si dhe u riafirmuan angazhimet e ndërsjella për forcimin e bashkëpunimit, para së gjithash në fushën e lidhjeve ekonomike dhe rrjetëzimit të biznesit.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Indi, Osmani pati takim me homologun e tij indian, Subramanjam Xhaishankar. Në fokusin e bisedës ishte zhvillimi i marrëdhënieve miqësore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Indisë, me theks të veçantë në mundësitë për avancimin e shkëmbimit tregtar, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjeve biznesore.
“Maqedonia e Veriut i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Indinë, me të cilën edhe pse larg gjeografikisht na lidh ngushtë imazhi dhe vepra e Nënë Terezës, si dhe me popullsinë e shumtë rome në vend. Para nesh po hapen mundësi të gjera për forcimin e bashkëpunimit në shumë fusha, mbi të gjitha në industrinë e TI-së, agrobiznesit, energjive e ripërtërishme, mjekësisë dhe turizmit”, theksoi Osmani.
