Maqedoni

“Eurovia”, përplasen sërish pushteti dhe opozita

31.08.2023 15:02

VMRO-DPMNE-ja opozitare vazhdon të akuzojë ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani...

VMRO-DPMNE-ja opozitare vazhdon të akuzojë ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, për favorizim të kompanisë “Eurovia” për fitimin e tenderit për  përshtatjen e sallës “Boris Trajkovski” për nevojat e takimit të Ministrave të OSBE-së. Sipas VMRO-DPMNE-së,  më së miri do të ishte që Bujar Osmani të mos e komentonte kurrë tenderin skandaloz prej 1.8 milionë eurosh të dhënë për “Eurovia”, sepse pas deklaratës së tij u hapën vetëm pyetje për publikun.
 
“Osmani gënjen sepse thotë, citoj sërish: “Nuk u gëzova kur ma sollën raportin e renditjes, sepse prisja reagime të tilla.”. Nga ky pretendim mund të konstatohet se Osmani e ka ditur se kompania ka qenë donator edhe para nënshkrimit të kontratës, sepse renditja sipas çmimit më të ulët i dorëzohet menaxherit para nënshkrimit të kontratës. Si fakt i dytë, Osmani duhet t'i përgjigjet opinionit, sepse donacioni i pranuar nga BDI-ja, i cili ishte mbi kufirin ligjor, nuk i është kthyer donatorit brenda 15 ditëve, siç e kërkon Ligji për financimin e partive politike, por është kthyer pas një viti nga donacioni.”, - deklaroi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva. 
 
Me akuza ndaj BDI-së edhe Lëvizja “Besa”. Sipas tyre, fitimet e viteve të fundit janë dëshmi për biznes-lidhjen e BDI-së me kompaninë “Eurovia”. Për fitimin e tenderit nga kompania është pyetur edhe kryeministri Kovaçevski. Ai thotë se do të ishte e do të ishte e dyshimtë në raste se tenderin do ta fitonte firma, e cila ofron çmim më të lartë. 
 
“Do të ishte e dyshimtë nëse dikush fiton tender a ndërkohë është donator i ndonjë partie politike dhe ka ofruar çmimin më të lartë. Do të ishte edhe më e dyshimtë nëse dikush fiton tender, a është donator i ndonjë partie politike, por që nuk është i evidentuar si donator. MPJ-ja kishte publikuar detaje se sa kompani kanë marr pjesë në tender, çfarë çmimesh kanë ofruar dhe sigurisht se është zgjedhur ajo me çmimin më të ulët.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Ditë më parë ministri Osmani hodhi poshtë akuzat e opozitares VMRO-DPMNE-ja, duke thënë se nuk e ka ditur se “Eurovia” ka qenë donator  dhe sqaroi për opinionin se është zgjedhur kompania, e cila ka ofruar çmim më të ulët. 
 
SANIJE DURAKU