Maqedoni

Komisioni për Antikorrupsion: Po punojmë në lëndën për tenderin "Eurovia"

31.08.2023 15:13

Komisioni për parandalimin e korrupsionit konfirmon se kanë hapur lëndë për të hetuar rastin me tenderin e fundit të "Eurovias"...

Komisioni për parandalimin e korrupsionit konfirmon se kanë hapur lëndë për të hetuar rastin me tenderin e fundit të "Eurovias", me të cilin kjo kompani mori 1.8 milion euro për rekonstruim dhe adaptim të sallës "Boris Trajkovski" me rastin e Konferencës së OSBE-së që do të mbahet në dhjetor. Nga Antikorrupsioni theksuan se po mbledhin të dhënat e nevojshme mbi rastin,megjithatë theksuan nevojën e veprimit edhe të institucioneve të tjera. KShPK-ja po mbledh informacione edhe për lëndën për donacionet ndaj BDI-së dhe se shpejti do të informojnë opinionin.
 
“Do t’i ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm. Deklaratën e ministrit nuk kemi pse ta komentojmë. Ne do të veprojmë në bazë të procedurave tona dhe kur do të vërtetojmë nevojën për mbledhjen e dokumentacioneve të caktuara do të veprojmë.”, - tha anëtarja e KShPK-së, Sofka Pejovska Dojçinovska.
 
“Pse institucionet e tjera heshtin? Konkretisht të drejtoheni te Byroja për furnizime publike, nëse ka realizuar kontroll paraprake dhe Komisioni për mbrojtje të konkurrencës. Ata duhet të kontrollojnë atë çështje që ne pastaj të marrim masa. Ne duhet t’i shfrytëzojmë të dhënat nga ato institucione, të gjitha heshtin.”, - u shpreh anëtari i KShPK-së, Goran Tërpenovski. 
 
“Sa i përket lëndës për Donacionet, konkretisht për partinë politike BDI, kemi hapur lëndë,janë kërkuar informacione dhe po kompletohen të dhënat tjera që i kemi pasur edhe më herët nga web faqet dhe Enti shtetëror për revision. Lënda është drejt fundit, kur të jemi të kompletuar dhe nëse do të ketë ndonjë masë apo jo do t’ju informojmë në seancat e radhës.”, - theksoi anëtari i KShPK-së, Shemshi Sallai.
 
Komisioni për Antikorrupsion: Mungon vullneti për të luftuar korrupsionin
 
Nga KShPK-ja theksojnë se në vazhdimësi mungon vullneti i institucioneve për të luftuar korrupsionin duke mos vepruar mbi iniciativat e ngritura.
 
“Të gjitha raportet evropiane për progresin, raportet e Departamentit Amerikan theksojnë se në mënyrë gjenerale, autoritetet janë ato që konkretisht duhet të veprojnë. Ekziston vullnet vetëm në mënyrë deklarative në luftën kundër korrupsionit, por jo dhe në praktikë. Një numër i madh i iniciativave për përgjegjësi, që janë të dorëzuar në Qeveri është vepruar në mënyrë minimale.”, - u shpreh anëtari i KShPK-së, Vlladimir Georgiev.
 
Sipas KShPK-së, ata kanë ngelur të vetëm për të luftuar korrupsionin.
 
FLORIJE KAMBERI