Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, pushteti dhe opozita mbeten me qëndrime të ndara

31.08.2023 15:55

Ndryshimet kushtetuese janë përcaktuesit e afatit kohor se kur Maqedonia e Veriut mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian...

Ndryshimet kushtetuese janë përcaktuesit e afatit kohor se kur Maqedonia e Veriut mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevki. Pret përkrahjen e të gjithë deputetëve në Kuvend që të rreshtohen për të ardhmen e vendit, ndërkaq ka gatishmëri për takim liderësh nëse ka argumente të reja për vazhdimin e  eurointegrimeve.
 
“Sipas kornizës negociuese, ne gjithashtu duhet të implementojmë ndryshime kushtetuese, kështu që sot varet prej nesh me çfarë shpejtësie dhe në çfarë mënyre do të qasemi drejt BE-së. Unë e udhëheq koalicionin evropian, i cili thotë se deri në vitin 2030 Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që do të bëhet anëtare e BE-së. Nga ana tjetër, kemi  koalicion antievropian izolues që  thotë se e do izolimin, do të pres 10,20, 30 vite, megjithatë nuk të ofrojnë alternativë tjetër.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Opozita maqedonase sërish numëron dështimet në ekonomi, shëndetësi, arsim, të cilat ia adreson pushteti aktual. Zgjidhja vjen vetëm nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ripërsëritet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
 
“Qeveria e BDI-së dhe LSD-së është jolegjitime dhe e ka humbur kredibilitetin e vet. Morën dush të ftohtë edhe nga presidenti i Francës, Makron edhe nga Bashkimi Evropian, të cilët përcollën patjetërsimin e reformave të nevojshme dhe jo fluska të zbrazëta. Ky pushtet shpenzoi 7 vjet dhe nuk bëri asgjë në drejtim të reformave. Përkundrazi, në Maqedoni po ndodh rënie e tërësishme e sistemit dhe institucionet janë kidnapuar nga mafia që quhet Qeveri.”, - thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së
 
Mbrëmë, në 33-vjetorin e Komitetit Komunal të partisë në qytetin e Shtipit, kreu i opozitës maqedonase, Mickoski, ka ftuar qytetarët për motiv dhe durim derisa të gjendjet zgjidhje për siç potencon ai, dalje nga jeta katasrofale.
 
“Tema e vetme  që dëshiron pushteti ta bisedojë, të nderuar miq, janë ndryshimet kushtetuese, sepse përpara e kanë vetëm këtë temë. Gjithçka tjetër është katastrofale, ndërsa ndryshimet kushtetuese janë më keq se katastrofa e secilës sferë, sepse janë të shtypur, të diktuar nga jashtë dhe populli në masë të madhe është kundër.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. 
 
Në përpjeke për të shtyrë procesin eurointegrues përpara dhe për të bindur të gjitha partitë politike t’i bashkohen bllokut evropian, Qeveria ka filluar  fushatën me moton  “Ne jemi Evropa” që do të promovohet në tetë qytete të vendit. Nga ekzekutivi thonë se qëllimi është që t’u shpjegohen qytetarëve avantazhet e të qenit anëtare e familjes së madhe evropiane.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU