Maqedoni
Më 1 shtator fillon viti i ri shkollor, për herë të parë do të ketë pushim pranveror
31.08.2023 16:13
Viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator, ditën e premte dhe do të zgjasë deri më 17 qershor...

Viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator, ditën e premte dhe do të zgjasë deri më 17 qershor, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri teksa paralajmëroi paga më të larta. Ai sqaroi se rritja e re do të merret me marrëveshjen kolektive, por edhe me harmonizimin e pagave.
“Si rezultat i diskutimeve me përfaqësuesit e sindikatave, ju njoftoj se së shpejti do të kemi rritje e rregullt, duke filluar nga muaji shtator, duke parë marrëveshjen e përgjithshme kolektive. Gjithashtu edhe rritje plotësuese në bazë të përshtatjes me pagën minimale.”, - deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Ministri Shaqiri siguroi që tekstet shkollore janë gati dhe u janë dorëzuar shkollave me kohë. Përveç klasave të treta ministri tha se deri në fund të shtatorit pritet që të dorëzohen edhe tekstet shkollore për klasën e gjashtë.
“Shumica e teksteve shkollore për arsimin fillor që janë miratuar në vitet e kaluara, si dhe pjesë të reja për klasën e tretë, në përputhje me programet e reja mësimore, tashmë janë aplikuar nëpër shkolla, dhe apeloj deri te udhëheqësit e shkollave që ditën e parë të shkollës t’ua shpërndajnë nxënësve. Tekstet e reja për klasën e gjashtë do të dorëzohen menjëherë pas miratimit te Komisionit Kombëtar të testeve shkollore.”, - theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Ai përmendi se këtë vit, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe nxënësve me vështirësi.
“Përkrahjen më të madhe për këtë vit shkollor do të marrin edhe nxënësit me vështirësi, që vijojnë mësimin në shkollat fillore, ku 2 vite më parë kishin 500 asistent mësimor, nga shtatori do të kemi 800 asistent mësimor që do të plotësojnë nevojën e tyre.”, - u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Ministri Shaqiri, gjithashtu njoftoi për hapjen e paraleles së dytë në gjuhën shqipe në Gjimnazin “Koço Racin” në Veles. Këtë vit, për herë të parë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme do të kenë pushim pranveror dhe ai do të zgjasë nga data 29 prill deri më 5 maj, praktikë që, siç tha Shaqiri, aplikohet në disa vende evropiane dhe që sipas mësuesve dhe profesionistëve, do të sjellë rezultate më të mira mësimore.
FITORE DEMOLLI
