Maqedoni

Deri në ndërtimin e deponisë rajonale, deponia në Nikushtak është nën kontroll

31.08.2023 16:33

Pika e rendit të ditës në Këshillin e Komunës së Likovës për zhvendosjen e deponisë së egër në Nikushtak...

Pika e rendit të ditës në Këshillin e Komunës së Likovës për zhvendosjen e deponisë së egër në Nikushtak mes Komunës së Likovës dhe asaj të Haraçinës, është prolonguar pas një debati mes këshilltarëve komunal dhe përfaqësueses së ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ana Karanfillova Mazneva.
 
“Deponia në fjalë vë në rrezik 3 fshatra edhe atë në shumë dimensione, si ndotja e ajrit, respektivisht nga tymi. Ky tym kancerogjen ndotë ajrin që e thithin banorët, e që e kanë të pamundur nga ajri i ndotur të hapin dritaret. Këtu qëndron edhe problemi me qentë endacak që grumbullohen e që rrezikohet jeta e bashkëfshatarëve dhe fëmijëve që shkojnë në shkollë. Pikërisht, për shkak të kësaj deponie, ne jemi viktimë e kësaj papërgjegjësie 20 vjeçare që po ndodhë.”, - deklaroi këshilltari i ASh-së, Bastri Rexhepi. 
 
“Prej vitit ‘97 ekziston ajo deponi dhe në atë vend që është më i papërshtatshëm në nivel të komunës. Edhe në vitin 2017 morëm iniciativë që të hulumtojmë ndonjë lokacion të përshtatshëm, ku nuk pengon e nuk shihet, por nuk na u lejua, sepse qëllimi ishte se si shtet kërkohet të mbyllen tërësisht këto deponi, jo të barten prej një vend në vend tjetër dhe për fat të mirë jemi regjioni i parë në nivel shteti që do të ndërtohet fabrika për riciklim.”, - u shpreh kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi. 
 
“Mbyllja e deponisë në Nikushtak dhe pastrimi i pesë deponive tjera do të fillojë menjëherë derisa të ndërtohet deponia rajonale. Deri në fund të vitit duhet të shpallet tenderi për ndërtimin e deponisë rajonale dhe stacioneve grumbulluese të mbeturinave. Presim që kjo të përfundojë deri në fund të vitit 2026, që nënkupton se deri në fund të vitit 2026 deponia në Nikushtak do të mbyllet tërësisht. Por, deri në ndërtimin e deponisë rajonale deri në vitin 2026 edhe më tej do të shfrytëzohet lokacioni në deponinë e tanishme në Nikushtak.”, - theksoi Ana Karanfillova  Mazneva nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.  
 
Ndërkohë, banorët e Nikushtakut shprehin shqetësimin për shëndetin e tyre nga deponia e egër në Nikushtak.
 
“Duhet të hiqet ajo deponi prej aty, sepse po na pengon, po na sjellë sëmundje të ndryshme, prandaj ju lutemi sa më shpejtë të jetë e mundur ta hiqni.”, - u shpreh një banor i Nikushtakit. 
 
“Ju kisha lutur sa më shpejt të gjeni një zgjidhje, sepse e ka shëmtuar atë vend, kundërmon erë e keqe, natën nuk mundet të kalohet, pasi rrezikohet prej qenve. Hedhin ushqime, ndërsa qentë po mblidhen e po paraqet rrezik.”, - tha një banor tjetër i Nikushtakit.
 
Pra, skenari për mbylljen e deponisë në Nikushtak është që të mbyllet, të pastrohet dhe të lihet vetëm një hapësirë e vogël që do të pranojë mbeturinat nga banorët e Likovës deri në hapjen e deponisë rajonale në Shën Nikollë, respektivisht deri në hapjen e stacionit grumbullues në Kumanovë, sepse mbeturinat nga Likova do të grumbullohen në stacionin në Kumanovë e prej aty do të barten në deponinë rajonale në Shën Nikollë.
 
FATLUM AQIFI