Maqedoni

SH.A. “Ekonomizimi me ujërat”: Nëse nuk ka pagë për korrikun, do të ketë protestë

31.08.2023 16:55

Sindikata AGRO pranë Sindikatës së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) kërkuan që Qeveria të dalë sa më shpejt

Sindikata AGRO pranë Sindikatës së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) kërkuan që Qeveria të dalë sa më shpejt me një zgjidhje për pagat e punëtorëve të Ndërmarrjes “Ekonomizimi me ujëra”. Nëse kjo nuk ndodh, do të organizohen protesta, njoftojnë nga kjo sindikatë. Punonjësit e kësaj ndërmarrjeje, për këtë shkak sot protestuan para drejtorisë në Shkup, si dhe para 14 filialeve të kompanisë në mbarë vendin për të shprehur revoltën e tyre, sepse të njëjtit ende nuk e kanë pranuar pagën për muajin korrik dhe ata theksuan se nuk presin që të pranojnë ndonjë pagë deri në fund të vitit.  
 
“Gjatë javës së shkuar nga drejtori i ndërmarrjes, punonjësit dhe pjesëtarët e sindikatës kanë qenë të informuar se nuk do të marrin pagën për muajin korrik dhe nuk pritet ndërmarrja të lëshojë paga edhe gjatë muajve të ardhshëm, ne pastaj me shkrim i jemi drejtuar Qeverisë së RMV-së, ku si partner social kemi kërkuar takim, me qëllim që të gjejmë një zgjidhje për çështjen e pagave.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës AGRO, Igor Kitanoski. 
 
Sipas tyre, nëse sot nuk paguhen pagat, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nga nesër nuk do të kenë as sigurim shëndetësor, ndërsa këto vështirësi, sipas tyre ato po i përjetojnë në momentet kur çmimet e produkteve ushqimore po shënojnë rritje.
 
“Problemin e pagave e kemi pasur edhe vitin e kaluar, ku pas takimit me Qeverinë të njëjtit na lëshuan nga pesë paga. Dhe prandaj, këtu parashtrohet pyetja, se pse ne çdoherë kemi probleme me pagat, sepse jemi jo-rentabil, kurse çmimet e shërbimit të ujit janë shumë të vjetra apo më shumë se 10 vite, ndërsa ne punojmë me pompa të ujit, të cilat janë me rrymë, ndërsa çmimi i rrymës e dijmë sa kushton.”, - u shpreh një anëtar i Sindikatës.
 
Ndërmarrja Shoqata Aksionare “Ekonomizimi me ujërat” është themeluar nga Qeveria dhe ka më pak se 500 punëtorë dhe në vazhdimësi kanë probleme me pagat. Sipas tyre, ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, ka kërkuar prolongimin e çmimeve dhe e njëjta të vlejë deri më 1 janar 2024.
 
FITIM KRYEZIU