Botë
Konflikti Rusi-Ukrainë, sulme në të dy anët e kufirit
02.09.2023 18:22
Një tjetër central bërthamor në rrezik nga konfrontimet e armatosura midis Ukrainës dhe Rusisë...

Një tjetër central bërthamor në rrezik nga konfrontimet e armatosura midis Ukrainës dhe Rusisë. Dy dronë ukrainas sulmuan qytetin rus të Kurçatov, në rajonin e Kurskut, ku është vendosur një termocentral i tillë.
Kreu i agjencisë hapësinore "Roskosmos" bëri të ditur se raketat balistike ndërkontinentale "Sarmat", të cilat kanë kapacitet të mbajnë dhjetë ose më shumë koka bërthamore, janë vendosur në të ashtuquajturat "detyrë luftarake".
Civilë të plagosur nga raketat ruse në rajonin e Vinicës. Në pjesët e Ukrainës që Moska i konsideron territoret e saj të reja, autoritetet pro-ruse po organizojnë zgjedhje rajonale. Kremlini paralajmëron investime të mëdha për rindërtimin dhe zhvillimin e zonave të pushtuara.
“Ne kemi disa programe për këto territore. E përsëris, faza e parë është arritja e nivelit rus nga pikëpamja sociale, pra në mjekësi, arsim, zhvillimin e infrastrukturës, rindërtimin e saj, e cila u shkatërrua në masë të madhe”, u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Sipas Kievit zyrtar, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme nëse nuk rivendoset kontrolli mbi Krimenë, Donbasin dhe pjesë të tjera. Lufta ndryshoi edhe skemën arsimore. 13 mijë shkolla filluan mësimin në 1 shtator.
“Pothuajse një milion ukrainas do të mësojnë online. Një milion të tjerë do të kenë mësim në një format hibrid. Shumica e tyre janë në Ukrainë. Por ne nuk duhet të harrojmë asnjë fëmijë, kudo që është tani. Ne jemi të gjithë ukrainas”, theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
“Pas fitores sonë, ditën e parë të shkollës do ta festojmë ndryshe. Do ta festojmë në Sheshin e Lirisë, sheshin më të madh në Evropë”, theksoi kryetari i Kharkivit Igor Terekov.
“Lufta duhet të ketë shkaktuar probleme psikologjike për fëmijët, miliona fëmijë. Megjithatë, ne përpiqemi t'i ndihmojmë ata të mos ndihen kështu, t'u sigurojmë një mjedis të sigurt", u shpreh drejtoreshs e shkollës Ludmilla Usiçenko.
“Është për të ardhur keq që na ndodhi kjo luftë, por ne vazhdojmë me jetën tonë, Kharkiv është i pathyeshëm dhe i tillë do të mbetet”.
Konflikti i armatosur midis Rusisë dhe Ukrainës ka vazhduar për më shumë se një vit e gjysmë.
FARIJE DAUTI BAKIU
