Botë

Protesta antiqeveritare në Izrael, reformat në drejtësi, kërcënim për demokracinë

03.09.2023 18:03

Protestat masive antiqeveritare në Tel Aviv për javën e 35-të me radhë...

Demonstruesit janë kundër reformave në drejtësi, të cilat i konsiderojnë një kërcënim për demokracinë. Sipas tyre, qeveria ultra e djathtë e kryeministrit Netanjahu po e çon vendin drejt një autokracie.
 
Në fund të korrikut, qeveria e koalicionit miratoi një ligj që kufizon veprimet e Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë do të shqyrtojë ankesat më 12 shtator. Pak orë para këtyre protestave, përkrahës dhe kundërshtarë të qeverisë  u përplasën përpara ambasadës së Eritresë në Tel Aviv.
 
Dhjetra persona janë lënduar para ndërhyrjes së policisë. Trazirat ndodhën gjatë përkujtimit të 30-vjetorit të sundimit të liderit aktual Afverki. Në të njëjtin vend u organizua edhe një kundërprotestë.
 
“Аta kaluan vijën e kuqe, kjo është një gjakderdhje, këto trazira janë të papranueshme ne kërkojmë masa të rrepta kundër trazirave dhe dëbim të menjëhershëm të të gjithë pjesëmarrësve”, u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
“Fatkeqësisht, të dyja palët nuk e mbajtën premtimin. Ata mbërritën këtu herët me qëllimin për të sabotuar ngjarjen. Jemi dislokuar që nga mbrëmja sepse kishim informacione se po planifikonin t'i vinin flakën një ndërtese”, theksoi komandanti i policisë Shaim Bublil.
 
“Njerëzit që mbështesin diktatorin Eritrean erdhën dhe i frikësuan, ata luftuan në rrugë. Kjo nuk është një betejë kundër një ideje apo një sistemi, kjo është një luftë për jetën. Çdo ditë luftojnë për veten e tyre dhe askush nuk i mbështet”, u shpreh protestuesja.
 
Eritrea është një nga vendet me të dhënat më të këqija të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Më shumë se 30,000 afrikanë po kërkojnë strehim në Izrael, shumica e të cilëve janë nga ai vend, pra 18,000 eritreanë.
 
Shumica e tyre hynë ilegalisht përmes Gadishullit Sinai të Egjiptit. Ata u larguan nga vendi i tyre për shkak të politikës së persekutimit dhe shtypjes.Përtej Izraelit, mosmarrëveshjet midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të qeverisë së Eritresë janë përhapur në diasporë në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
 
Muajin e kaluar në Toronto, Kanada, një festival tre-ditor i kulturës Eritreane u anulua për shkak të një përplasjeje të ngjashme.
 
FARIJE DAUTI BAKIU