Maqedoni
BMZ gjermane do të investojë 64,9 milionë euro në Shkup
04.09.2023 11:45
Kompania gjermane për sisteme të avancuara të baterive “BMZ” do të investojë 64,9 milionë euro në Shkup...

Kompania gjermane për sisteme të avancuara të baterive “BMZ” do të investojë 64,9 milionë euro në Shkup, informojnë nga Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale. Marrëveshja do të nënshkruhet në selinë e kompanisë nga drejtori ekzekutiv dhe themelues i BMZ, Sven Bauer dhe nga drejtori i Drejtorisë së ZZHTI-së Despotovski, në praninë e zëvendëskryeministrit Bytyqi she Jelica Ivanovskës, menaxhere e përgjithshme e BMZ-së Maqedoni.
Kompania “BMZ” prodhon bateri për motoçikleta, trotinetë dhe produkte të tjera më të vogla industriale. Bytyqi dhe Despotovski në Frankfurt do të marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët me biznesmenë gjermanë para të cilëve do ta prezantojnë potencialin investues të Maqedonisë së Veriut. Gjermania është partneri i parë nga pesë partnerët tregtarë të Maqedonisë së Veriut sipas vëllimit të përgjithshëm të shkëmbimit të jashtëm tregtar. Shkëmbimi vitin e kaluar arriti në 4,8 miliardë euro.
