Botë
Putin pret Erdoganin në Soçi
04.09.2023 12:22
Presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojë bisedime me Erdoganin e Turqisë në Soçi...

Presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojë bisedime me Erdoganin e Turqisë në Soçi, ndërsa më herët refuzoi ftesën e homologut të tij për të shkuar në Ankara. Në qendër të diskutimeve do të jetë marrëveshja e grurit, të cilën Turqia dhe Kombet e Bashkuara kërkojnë të rikthejnë Moskën në mënyrë që të lehtësojnë krizën globale të ushqimit.
Rusia u largua nga marrëveshja në korrik një vit pasi ajo u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara. Kremlini kërkon që eksportet ruse të ushqimit dhe plehrave të mos jenë nën sanksione. Rusët kërkojnë lehtësi në pagesat ndërkombëtare, logjistikë dhe sigurimin e anijeve. Ditët e fundit Kremlini ka shprehur interes për të vijuar bisedimet me Turqinë për ta kthyer këtë vend në një qendër të madhe të transitit të gazit.
Në Ukrainë presidenti Zelensky njoftoi ndryshimin e ministrit të Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, i cili do të zëvendësohet me ligjvënësin nga Krimeja, Rustem Umerov. Vetë Reznikov mësohet se do të shkojë ambasador në Britaninë e Madhe. Ministri i ri Umerov i etnisë tatare, e shtypur historikisht nga Rusia, ka qenë një anëtar kryesor i delegacionit ukrainas të angazhuar në negociatat me Rusinë në lidhje me marrëveshjen e grurit.
