Botë

Përmbytjet e fuqishme godasin Spanjën

04.09.2023 12:44

Moti i keq dhe përmbytjet kanë përfshirë një pjesë të madhe të Spanjës....

Moti i keq dhe përmbytjet kanë përfshirë një pjesë të madhe të Spanjës. Alarmi i kuq është vendosur në rajonet e Madridit, Toledos dhe Cádiz. Banorëve në Madrid u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi për shkak të reshjeve të jashtëzakonshme të shkaktuara nga stuhia Dana. Dy persona humbën jetën teksa po zbrisnin në luginën Gorgol, në rajonin e Aragonit.

Përrenjtë dolën nga shtrati duke përmbytur disa shtëpi në Alcanar të Spanjës. Situata më kritike mbetet në tre rajone bregdetare Cádiz, Tarragona dhe Castelló. Stuhia Dana ka shkaktuar rrëshqitje të dherave, ndërsa shumë automjete kanë ngecur në baltë për shkak të përmbytjeve.
 
Sipas gazetës “El Pais”, disa shërbime të trenave janë ndërprerë në të gjithë Spanjën dhe shoferët janë paralajmëruar të shmangin udhëtimet në zonat e përmbytura. Ngjarjet e motit të kësaj fundjave pasojnë një verë të nxehtë përvëluese në Spanjë dhe në pjesën më të madhe të Evropës Jugore.