Maqedoni

Skandali në Onkologji, Pendarovski: Hetimet të përfundojnë shpejt

04.09.2023 14:23

Skandali me Klinikën e Onkologjisë ka ngjallur reagime edhe te krerët shtetëror dhe politik....

Skandali me Klinikën e Onkologjisë ka ngjallur reagime edhe te krerët shtetëror dhe politik. Presidenti Stevo Pendarovski thekson se sistemi shëndetësor ka dështuar, gjë që ka humbur besimin tek pacientët me kancer dhe e vë në pikëpyetje cilësinë e trajtimit për çdo pacient të ardhshëm. 

“Bëj thirrje për përfundimin e shpejtë dhe efikas të hetimeve dhe procedimeve gjyqësore-prokuroriale pa selektivitet dhe dënim të duhur. Është koha e fundit që sistemi të konfirmojë se jemi të aftë të ballafaqohemi me forma të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në fund t'i japim fund kulturës së mosndëshkimit për shkelje të rënda të ligjeve.”, thuhet në reagimin e presidentit Pendarovski. 
 
Kovaçevski: Është krim, s’ka nevojë për politizim
 
Kryeministri Dimitar Kovaçevski kërkoi që ky rast të mos politizohet, sepse bëhet fjalë për krim multipartiak dhe multietnik. Ai tha se edhe sikur të përfshirët në këtë skandal të jenë anëtarë të Shën LSDM-së, Shën VMRO-së  apo Shën BDI-së, nuk do të lejohet asnjë lloj i presionit dhe fajtorët do të bartin përgjegjësi.
 
“Shpresoj se edhe Prokuroria do të sqarojë procedurën e tyre, sepse janë organ i veçantë. Nuk do të ketë falje për askënd, pavarësisht nëse i përket ndonjë partie politike apo çfarëdo lloj përkatësie tjetër. Ky është një krim shumëpartiak, multietnik që duhet të zbardhet. Qytetarët presin që kjo të zbardhet dhe të mos ketë falje. Fakti që qytetarët po protestojnë, e kuptoj shqetësimin dhe zemërimin e tyre.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
BDI-ja përkrah aksionin e MPB-së dhe PP-së
 
Nga BDI-ja kërkojnë që partitë politike të qëndrojnë larg nga hetimet dhe mos t’i kompromitojnë ato, por t’i përkrahin pa rezervë.
 
“BDI-ja përkrah tërësisht aksionin e realizuar ditë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria dhe fton institucionet që hetime të tilla të zhvillohen edhe në klinikat dhe institucionet tjera. Këto pretendime përfshijnë njerëz të involvuar ndër vite dhe ndër administrata, prandaj partitë politike duhet të qëndrojnë larg nga hetimet dhe mos t’i kompromitojnë ato, por t’i përkrahin pa rezervë.”, thuhet në reagimin me shkrim të BDI-së.
 
Taravari: Skandali, mantelin e bardhë e bën të zi
 
I tmerruar u shpreh edhe kreu i ASh-së, Arben Taravari.
 
“Unë nuk dua të besoj që të jetë e vërtetë se në të kundërtën manteli i bardhë bëhet i zi, Betimi i Hipokratit shndërrohet në veprimtarinë e Mengeles dhe s'ka më as M nga mjekësia.”, thekson mes tjerash Taravari, i cili kërkon përgjegjësi për të gjithë të implikuarit në këtë skandal.
 
VMRO-ja kërkon Komision anketues në Kuvend
 
Por, për partitë opozitare, pushteti ngelet fajtori kryesor për situatën e zhvilluar vite me radhë në Klinikën e Onkologjisë. Lideri i VMRO-DPMNE-së kërkon përgjegjësi jo vetëm penale, por edhe politike, si dhe dorëheqjen e Qeverisë. 
 
“Kovaçevski duhet të përgjigjet se pse sistemi me të cilin janë përcjellë barnat, nuk funksionon. Kush është ai që ka urdhëruar që ai sistem në vend që të jetë funksional, të vendoset në bodrum? Pse ata që paguajnë marrin shërbim mjekësor, ndërsa ata që  fatkeqësisht nuk munden të paguajnë lihen në mëshirë dhe në dhimbje e vuajtje të mëdha të humbin jetën?!”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. 
 
LD: Mos të përfundojë si rasti me Spitalin modular
 
Me reagim për skandalin në Onkologji doli edhe Lëvizja Demokratike.
 
“Shpresojmë që ky skandal me përmasa çnjerëzore të mos ketë të njëjtin epilog si ai i Spitalit modular në Tetovë, të cilin drejtësia e përmbylli me “dënime” qesharake, në mos absurde. Në shtetet normale, për raste të tilla, kabinetet qeveritare japin dorëheqje të parevokueshme. Por, fatkeqësisht një gjë e tillë nuk mund të pritet nga kjo Qeveri.”, thonë nga partia e Izet Mexhitit.
 
Kasami: Të dorëhiqet Mexhiti si akt moral
 
Derisa kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami duke kërkaur zbardhjen e plotë të rastit kërkon dorëheqjen e misnitrit të shëndetësisë si akt moral.
 
“Lëvizja BESA kërkon që përgjegjësit e këtyre akteve barbare e monstruoze të marrin dënimin maksimal me burg, ndërkaq nga Ministri aktual i Shëndetësisë kërkojmë të dëshmojë se nuk e ka prioritet pozitën, por qytetarin. Këtë duke vendosur në shprehje aktin moral të dorëheqjes, në shenjë ndërgjegjshmërie e përgjegjësie si i pari i Shëndetësisë në vend!”, tha Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
 
Skandali u bë publik nga mediat. Ata paraqitën një sërë dëshmish se pacientët nuk kanë marrë terapinë adekuate dhe barnat e shtrenjta kanë përfunduar në tregun e zi.
 
SANIJE DURAKU