Maqedoni

Rasti "Spitali i Onkologjisë", PTHP: Kërkojmë prova

04.09.2023 14:35

Prokuroria publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme po veprojnë në mënyrë intensive...

Prokuroria publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme po veprojnë në mënyrë intensive për hetimin e pretendimeve për veprat e mundshme të kryera penale që ka të bëjë me trajtimin e pacientëve dhe punën e Klinikës së Onkologjisë. Nga, Prokuroria Publike informojnë se janë lëshuar urdhrat përkatës për analizimin e kompjuterëve dhe të dhënave kompjuterike që u konfiskuan gjatë kontrolleve, ndërsa po merren në pyetje të gjithë personat të cilët mund të kenë njohuri për veprime të paligjshme në këtë rast. Po ndërmerren edhe veprime plotësuese që për momentin nuk mund të ndahen me publikun. Kur për ndonjë person të caktuar do të sigurohen prova të mjaftueshme, Prokuroria do të informojë opinionin.
 
"Në vazhdimësi lëshohen urdhra dhe sigurohen prova për të verifikuar vërtetësinë e pretendimeve të bëra në investigimet gazetareske të publikuara javët e fundit. Menaxhmenti i Klinikës së Onkologjisë dhe stafi tjetër mjekësor, bashkëpunojnë dhe ndihmojnë plotësisht në këtë. Prokuroria Publike siguron opinionin se të gjitha pretendimet do të hetohen plotësisht dhe të gjithë autorët e mundshëm të krimeve do të ndiqen penalisht. E gjithë procedura, që nga momenti i parë zhvillohet në mënyrë maksimalisht transparente dhe në përputhje me të gjitha procedurat ligjore.".
 
Spasovski: Do të ketë përgjegjësi
 
Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski ka deklaruar se gjithsecili që do të jetë i përfshirë, pa marrë parasysh pozitën, do të përgjigjet.
 
"Dua të them se një ekip special nga policia për Krime po punon në koordinim me Prokurorinë Publike, është përgatitur një plan i plotë veprimi dhe po punohet intensivisht për mbledhjen e informacionit. Nuk mund të flasim për specifikat e informacionit dhe ta zbulojmë tani, nuk duhet të ndikojmë në procedurë, e gjitha kjo për të mos prishur një pjesë të procedurës së provave, para së gjithash në aspektin e dëshmitarëve. Ka procedura, numri i personave nën masa të posaçme hetuese është më i madh dhe kjo është ajo që mund t'i njoftohet publikut tani për tani. Fajtorët kanë emër dhe mbiemër dhe duhet të identifikohen.”, ka deklaruar Spasovski.
 
Prokuroria Publike inkurajon të gjithë ata që kanë informacion në lidhje me këtë çështje t'i raportojnë në organet kompetente. 
 
FLORIJE KAMBERI