Botë

Tiranë, Begaj pret Osmanin, Begaj: Kosova është prioritet kombëtar

04.09.2023 15:17

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit me nderime nga homologu Bajram Begaj...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit me nderime nga homologu Bajram Begaj, në nisje të vizitës 2-ditore në Shqipëri.  Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, Osmani mori garancinë se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë dhe se përpjekjet për njohje, do të intensifikohen me kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
 
“Askush s’mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës. Për njohjet është i nevojshëm koordinim mes institucioneve të të dy vendeve. Kryesimi nga Shqipëria i KS-së të OKB-së, do të ketë në fokus çështjet e njohjes së Kosovës. Shqipëria e mbështet fuqishëm aspiratën e Kosovës për integrimin. Duhet koordinim për të avancuar për të gjitha çështjet me ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të drejtat e shqiptarëve në rajon.”, - deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
 
Osmani: Jini zëri ynë atje ku s’kemi përfaqësim
 
Presidentja Osmani kërkoi ndihmën e Shqipërisë që të jetë zëri i Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, ku vendi i saj është i papërfaqësuar.
 
“Shqipëria të jetë zëri ynë në instancat ku s’kemi përfaqësim. Synimi ynë është anëtarësimi në NATO, BE dhe organizatat e tjera. Kryefjalë e takimit me presidentin Begaj ishte bashkërendimi për veprim të unifikuar të politikës së jashtme. Jemi në krah të ShBA-së, BE-së, sidomos me sfidat e sigurisë. Politika e Serbisë sfidon integritetin e Kosovës, do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë dhe aleatëve.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Të pyetur lidhur me marrëdhënien Shqipëri-Kosovë, që pas tensionimit nga anulimi i mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive, për Osmanin mospajtimet janë tejkaluar, e Begaj tha se ka ende vend për përmirësime.
  
“Kosova dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera që quhen vëllazërore, por më shumë i quaj relacion mes motrash. Mund të fuqizohen edhe më tej. Mungesa e paqes ndikon në mungesën e sigurisë dhe stabilitetit në gjithë Ballkanin.”, - u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
“Askush nuk mund të mërzitet pse ne mbështesim Kosovën. Detyrim kombëtar. S’kanë rëndësi mosmarrëveshjet e momentit. Vizita sot tregon që ne jemi bashkë për çështje të interesit të përbashkët. Jemi në një rrugëtim, atë drejt perëndimit. Ka ende vend për të përmirësuar që të jemi një zë.”, - theksoi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
 
Situata në Veri të Kosovës, Begaj: Ne e dimë se kush i shkakton problemet
 
Sa i takon situatës në Veri, Osmani foli për provokim intensiv nga Serbia, ndërsa presidenti Bajram Begaj u shpreh se duhet ndryshuar perceptimi se Kosova është përgjegjëse për tensionet.
 
“Serbia fut armatim në Kosovë legalisht, trajnon ushtrinë serbe për të shkaktuar probleme, i terrorizon, sulmon qytetarët serbë në Veri.
Është tejkaluar çdo mospajtim. Nuk shoh asgjë që na ndalon të na ecë përpara.”, - tha mes tjerash presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
“Të mos biem pre e provokimeve dhe pastaj të merremi me çtensionim, prioritet i panegociueshëm. Të punojnë rreth marrëveshjeve për normalizimin mes dy shteteve. Problemi është te perceptimi dhe duhet ta ndryshojmë, sepse ne e dimë kush i shkakton problemet.”, - tha mes tjerash presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
 
Më pas, presidentja e Kosovës u takua me kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla. Në ditën e dytë të vizitës zyrtare, Osmani do të zhvillojë një vizitë në Berat e Durrës.
 
LULJETA NDOKA