Maqedoni
Skandali me medikamentet në Onkologji, Mexhiti: Punoj ngushtë me organet e përndjekjes
04.09.2023 15:32
Rasti i Klinikës së Onkologjisë ku kurohen pacientët e sëmurë nga kanceri duhet të zbardhet...

Rasti i Klinikës së Onkologjisë ku kurohen pacientët e sëmurë nga kanceri duhet të zbardhet dhe për këtë do ta kenë mbështetjen edhe të ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Ministria është duke bashkëpunuar ngushtë me organet e drejtësisë që ky rast të zbardhet sa më shpejt dhe personat të cilët kanë kryer këtë vepër të shëmtuar do të duhet të dalin para drejtësisë, tha Mexhiti, por faji nuk duhet të drejtohet tek të gjithë stafi mjekësor, theksoi ai, pasi fajtorët kanë emër dhe mbiemër. Sipas ministrit ka një infermiere e cila në vitin 2020 është larguar nga puna për këtë rast dhe ajo sërish është kthyer në punë.
“Do të bëj gjithçka që mundem për të mbyllur fillimisht këtë çështje, të vërtetohet dhe të sanksionohet përgjegjësia e kujtdo që vërtetohet se është pjesë në këtë lloj krimi. Ministria do të punojë ngushtë me organet e persekutimit dhe gjyqësorin për të siguruar hetim të plotë dhe të paanshëm. Me konsiliumin dhe ekspertë të Onkologjisë do të vendos se cilët pacient sa terapi do të pranojnë, mënyra për të kontrolluar terapinë, sëmundjen e pacientëve dhe terapinë që ata marrin disa muaj më parë vendoset nga kolegjiumi konseliar onkologjik i ekspertëve. Në këtë mënyrë parandalohet vendimmarrja e pavarur dhe e njëanshme në lidhje me terapinë dhe mundësia për abuzim.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Mexhiti ka pohuar se gjatë kësaj kohe 6-mujore deri sa është duke e ushtruar detyrën e ministrit të Shëndetësisë ka mundësuar që Prokuroria dhe Policia për Krim të Organizuar ka hyrë në Klinikën e Onkologjisë, gjë e cila nuk ka qenë përvojë më parë.
Klisarovska: Kemi pasur dyshime për keqpërdorime
Ndërsa, drejtoresha e Klinikës së Onkologjisë Violeta Klisarovska ka pohuar se besimi i klinikës tek pacientët ka rënë shumë dhe i garanton të njëjtit se pacientët po marrin terapinë e duhur, ndërsa tentime për manipulime me terapinë ka pasur në vazhdimësi.
“Unë në këtë klinikë jam gjatë kohë dhe kemi pasur dyshime për keqpërdorime, por asaj kohe unë nuk kam qenë në pozitën për të vepruar. Më 28 shkurt një personel mjekësor ka marrë guximin që prapë të kryejë veprimin e vjedhjes së terapisë dhe me dëshmi nga institucionet përkatëse menjëherë është larguar nga institucioni ynë dhe e njëjta më nuk ka pasur të drejtë të shkelë në klinikën tonë. Më 6 mars ka marrë vendim për largimin e saj nga puna, ndërsa largimi final është bërë më datë 23 maj të këtij viti.”, - theksoi drejtoresha e Klinikës së Onkologjisë, Violeta Klisarovska.
Prokuroria për Krim të Organizuar në bashkëpunim me organet përkatëse kanë hyrë në Klinikën e Onkologjisë dhe kanë konfiskuar kompjuterët e klinikës, ndërsa akoma nuk ka asnjë person të arrestuar, kurse puna në Klinikën e Onkologjisë vazhdon duke ua ofruar të gjithë pacientëve terapinë e duhur.
FITIM KRYEZIU
