Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, VMRO: Xhaferi të caktojë vazhdimin e seancës
04.09.2023 15:47
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së parashtroi kërkesë zyrtare deri te kryeparlamentari Talat Xhaferi...

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së parashtroi kërkesë zyrtare deri te kryeparlamentari Talat Xhaferi, që seanca për ndryshimet kushtetuese të caktohet menjëherë. Nga kjo parti thonë se qëllimi i kësaj kërkese është që të mos stërzgjatet procedura dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi të mos keqpërdorë Rregulloren.
“Qeveria e kryesuar nga LSDM-ja dhe BDI-ja është e vetëdijshme se nuk ka numër të mjaftueshëm të deputetëve që të votohen ndryshimet kushtetuese dhe me vetëdije e stërzgjat këtë proces. Duam t’u themi se as tani e as në të ardhmen nuk do të ketë shumicë prej dy të tretash nën diktimin bullgar, prandaj kërkojmë Talat Xhaferi të mos e keqpërdorë Rregulloren, të caktojë vazhdim të seancës dhe përfundimisht të dërgojmë mesazhin se nuk mundet kush si do dhe kur do të na e ndryshojë Kushtetutën.”, - deklaroi Dafina Jovanova Stojanovska nga VMRO-DPMNE.
Kreu i Kuvendit nuk i është përgjigjur kërkesës së fundit të opozitës. Për kërkesa të ngjashme, paraprakisht, kabineti i kryeparlamentarit Xhaferi, ka njoftuar se qëndrimin e tij rreth vazhdimit të seancës për ndryshimet kushtetuese, presidenti e ka deklaruar në presskonferencën e 21 gushtit. Atëherë, Xhaferi potencoi se udhëhiqet nga vlerësimi politik dhe se ka të drejtë të plotë të ndërpresë seancën, nëse nuk e ka shumicën e deputetëve të nevojshëm për vendimmarrje. Edhe qëndrimi i shumicës parlamentare është se seancë do të ketë kur do të sigurohen 80 deputetë, të cilët do të japin dritë jeshile për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, kusht i domosdoshëm për vazhdimin e procesit integrues në BE.
FLUTURA LATIFI
