Maqedoni

Frankfurt, “BMZ” do të investojë 65 milionë euro në RMV

04.09.2023 16:11

Një investim i ri nga Frankfurti me vlerë prej 65 milionë euro do të rrisë portofolin e kompanive gjermane edhe në Maqedoninë e Veriut....

Një investim i ri nga Frankfurti me vlerë prej 65 milionë euro do të rrisë portofolin e kompanive gjermane edhe në Maqedoninë e Veriut. “BMZ”-ja do të prodhojë sisteme të avancuara të baterive për konsumatorët e industrive të ndryshme, si dhe për mjekësinë dhe do të fillojë ndërtimin e kapaciteteve të saj prodhuese në Zonat e Zhvillimit Teknologjiko-industrial diku nga fundi i vitit 2023. Ajo parashikon të punësojë rreth 750 punëtorë, staf shumë profesional dhe sipas menaxherit të përgjithshëm Bauer, në dhjetë vitet e ardhshme ky investim pritet të rritet së bashku me procesin e prodhimit.
 
“Folëm për Maqedoninë, lokacioni është shumë i rëndësishëm për ne, për ekipin e prodhimit, për Evropën dhe për tregun evropian. Të ketë një instalim fabrike, të ndalojë ndikimin e importeve kineze në Evropë. Shpresojmë që prodhimi të fillojë në vitin e ardhshëm, kemi në plan të rrisim biznesin.”, - deklaroi drejtori i përgjithshëm dhe themelues i "BMZ"-së, Sven Bauer. 
 
Në marrëveshjen në të cilën përvijohen planet zhvillimore dhe përkrahja e shtetit ndaj këtij investimi të huaj, në Frankfurt e nënshkruan drejtori i përgjithshëm Bauer, drejtori i ZZHT, Despotovski dhe zëvendëskryeministri, Bytyqi. Despotovski tashmë ka bërë të ditur se sipas bisedave të menaxhmentit pritet që punëtorët të kenë pagë bruto prej rreth 1,200 euro.
 
“Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se me këtë investim dhe me numrin e parashikuar të vendeve të punës që tashmë janë duke u realizuar, që janë 750, synimet e këtij grupi të kontratave të reja parashikojnë një rritje, pra hapjen e afër 12,500 vendeve të reja të punës.”, - theksoi drejtori i ZZHT-së, Jovan Despotovski. 
 
Në fjalën e tij menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Bityqi u ndal në përfitimin nga këto investime të huaja që po vijnë në vend, ai përmendi se nga vendi pritet të eksportohen rreth 360 milionë euro nga “BMZ”-ja dhe në këtë mënyrë të rritet bilanci tregtar në një valë afatgjate.
 
“Me projektimin e eksportit të parashikuar vjetor prej mbi 360 milionë euro, fabrika e re “BMZ” do të thotë përfitim direkt për kapacitetet eksportuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përmirësim të bilancit tregtar.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike, Fatmir Bytyqi. 
 
Gjermania është motori ekonomik i Ballkanit Perëndimor dhe një partner kyç në tregtinë me vendin tonë. Vitin e kaluar janë realizuar rreth 4,8 miliardë euro. Përndryshe, shumica e kompanive nga Gjermania në zonat tona prodhuese janë të fokusuara në industrinë e automobilave.
 
SEDAT SELIMI