Maqedoni

Tetovë, tragjedia në Spitalin modular, familjarët e viktimave kërkojnë akuzë të re

05.09.2023 14:05

Familjarët e14 personave, të cilët e kanë humbur jetën në zjarrin në Spitalin modular në Tetovë më 8 shtator të vitit 2021...

Familjarët e14 personave, të cilët e kanë humbur jetën në zjarrin në Spitalin modular në Tetovë më 8 shtator të vitit 2021, nëpërmjet një proteste publike do të kërkojnë të ketë akuzë të re për rastin. Ata paralajmëruan protesta të vazhdueshme, deri në zbardhjen e plotë të rastit, teksa kërkuan që protesta të mos keqpërdoret për pikë politike pasi qëllimi është sjellja e drejtësisë në vendin tonë.
 
“Ftoj të gjithë qytetarët që të na bashkëngjiten në protestën që do të mbahet të premten nga ora 14:00. Protesta do të fillojë nga hapësira e Spitalit modular. Këtë shprehje të mllefit tonë nuk duam që askush ta shfrytëzojë, asnjë subjekt politik apo të shfrytëzohet për përfitime politike. Pra edhe njëherë ftojmë krejt banorët e Tetovës që të na bashkohen në protestat që organizojmë ne si familjarë, pa prapavija politike, pra nuk duam politika të përfshihet këtu. Pas kësaj, ne si familjarë ndjehemi sikur me na vra edhe neve, sepse drejtësi këtu nuk ka. E kemi cekur të gjithë ne familjarët që s`ka drejtësi këtu, sepse ka përgjegjësi dikush më lartë në shtet, por e kanë fshehur.”, - u shpreh familjari i viktimave, Mumin Ismaili.
 
Më 5 qershor përfundoi procesi gjyqësor për veprat penale lidhur me zjarrin në Spitalin modular në Tetovë. Me kusht u dënuan drejtorët e akuzuar, Florin Besimi dhe Artan Etemi për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, ndërsa personi juridik IShP-Spitali Klinik është shpallur fajtor për veprën “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Gjykata vendosi të ketë aktvendim lirues për mjekun Boban Vuçevski dhe Spitalin Klinik për veprën “Mosveprim sipas rregullave shëndetësore”. 
 
FLUTURA LATIFI