Maqedoni
Arsimi shqip në Veles, reagojnë Alternativa, Besa dhe LD-ja
05.09.2023 14:40
Partia e Afrim Gashit “Alternativa”, Lëvizja “Besa” dhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit kanë reaguar...

Partia e Afrim Gashit “Alternativa”, Lëvizja “Besa” dhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit kanë reaguar pas informacionit të konfirmuar se nxënësit shqiptarë të Velesit nuk janë pranuar në gjimnazin “Koço Raçin” dhe janë detyruar të tërhiqen nga aplikimi.
Nga Alternativa shprehin shqetësimin e tyre se Maqedonia e Veriut po kthehet çdo ditë e më shumë në poligon serb për të eksperimentuar me arsimin shqip.
“Ashtu si në fillim të viteve të ’90-ta, kur hapja e një paralele shqipe në një shkollë përbënte lajm vjetor, në Veles kjo po ndodhë në vitin 2023, kur kemi një ministër që identifikohet si shqiptar, kur është në pushtet një parti që disa herë ka pasur ministra shqiptarë të arsimit dhe një parti tjetër që ka përcaktor “Shqiptare””, thonë nga kjo parti, ndërkohë nga Lëviza “Besa” kërkon urgjentisht që të zgjidhet problemi me nxënësit shqiptarë të Velesit, përndryshe “Ministri i Arsimit t’ia marrë kompetencat kryetarit të komunës dhe të veprojë në emër të tij dhe ta zgjidh problemin me paralelet shqipe.”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes “Besa”.
Edhe nga Lëvizja Demokratike kërkojnë që ekzekutivi shqiptar të merr masa sa më shpejtë.
“Kjo është vetëm edhe një dëshmi se urrejtja ndaj shqiptarëve është më e fuqishme se një e drejtë e garantuar që ka të bëjë me arsimimin në gjuhën amtare. Jo vetëm kaq, por nga ky gjimnaz janë larguar edhe katër profesorë shqiptarë, ndërkaq 10 nxënës shqiptarë janë detyruar të regjistrohen në paralelet maqedonase.”, thonë mes tjerash nga LD-ja.
