Maqedoni
Kovaçevski në Samitin digjital të Talinit: Punojmë të jemi në hap me teknologjinë më të re
05.09.2023 15:25
Maqedonia e Veriut punon në digjitalizim që nga dita e pavarësisë dhe do të vazhdojë të angazhohet...

Maqedonia e Veriut punon në digjitalizim që nga dita e pavarësisë dhe do të vazhdojë të angazhohet në avancimin e infrastrukturës digjitale, ka deklaruar kryeministri, Dimitar Kovaçevski, në samititn digjital të Talinit në Estoni. Përmendi se momentalisht 83 për qind e amvisërive kanë qasje në internet me shtrirje të gjerë, ndërsa 91 për qind e kompanive përdorin teknologji të ndryshme dhe internet me shtrirje të gjerë. Me këtë angazhim, Kovacevski potencoi se do t’i afrohemi standardeve evropiane.
“Digjitalizimi dhe përvoja e Estonisë dhe vendeve baltike janë veglat tona që do të sigurojnë hap të përshpejtuar në rrugën tonë në integrim drejt BE-së dhe implementim të shërbimeve elektronike për qytetarët. Për shembull, në kapitullin “E drejta dhe liritë themelore”, jam i sigurt se në procesin që e kemi filluar në gjykata dhe prokurori, digjitalizimi do të ndihmojë në reformimin e gjyqësisë, në uljen e korrupsionit dhe në përmirësimin e sundimit të së drejtës.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski numëroi obligimet që duhet të realizohen në mënyrë që qytetarët të marrin shërbime cilësore digjitale.
“Sigurimi i institucioneve transparente, përgjegjëse dhe të hapura, të cilët qytetarëve do t’u sigurojnë shërbime më cilësore, bashkë me këtë, mbrojtjen e demokracisë. Kemi shembuj të qartë se çfarë ka bërë digjitalizimi në Estoni dhe sa është i shfrytëzueshëm për qytetarët e saj. Këto njohuri dhe këtë përvojë do t’i shfrytëzojmë dhe do të vazhdojmë t’i shfrytëzojmë për proceset e mëtutjeshme.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski theksoi rëndësinë e mbështetjes së Estonisë në digjitalizimin e vendit në kontekst të vazhdimit të rrugës evropiane. U zotua se në këtë fushë, vendi ynë do të përpiqet të jetë në trend me teknologjinë më të re. Partneriteti në këtë drejtim është kyç për tejkalimin e sfidave, ndërsa puna e përbashkët është bazë për arritjen e qëllimeve të përbashkëta, përfundon shefi i ekzekutivit, Kovaçevski.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
