Maqedoni

Oda e Mjekëve: Mbështesim Prokurorinë në hetime

05.09.2023 15:40

Zhvillimet e fundit në Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi kanë ngritur shqetësimin edhe tek Oda e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut....

Zhvillimet e fundit në Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi kanë ngritur shqetësimin edhe tek Oda e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut. Sipas tyre, nëse konfirmohen si të vërteta këto të dhëna, kjo do të thotë shkelje e madhe e të drejtave të pacientëve, por edhe mosrespektim e parimeve themelore të etikës në kryerjen e veprimtarisë shëndetësore, të cilat duhet të jenë prioritet në punën e çdo mjeku dhe të çdo punonjësi shëndetësor në përgjithësi. 
 
“Oda e Mjekëve i ofron mbështetje sistemit të Prokurorisë Publike dhe organeve hetimore, të cilat presim që sa më shpejt t’i zbardhin dyshimet dhe të ndajnë me publikun informacionin e saktë se çfarë ka ndodhur saktësisht në këtë klinikë, e cila është objekti i vetëm shëndetësor i llojit të tij në vendin tonë dhe ku trajtohen numri më i madh i pacientëve me sëmundje malinje.”, thuhet në prononcimin zyrtar nga Oda e Mjekëve. 
 
Nga kjo Odë po ashtu kanë pohuar se ky faj nuk duhet të hidhet mbi të gjithë punonjësit në atë klinikë. Fajtorët, sipas tyre, kanë emër dhe mbiemër.
 
“Gjithashtu jemi të bindur fort se në Klinikën e Onkologjisë dhe Radioterapisë ka punonjës të ndershëm shëndetësorë që mjekojnë me ndërgjegje, përgjegjësi dhe profesionalizëm. Oda e Mjekëve do të monitorojë me vigjilencë të gjitha zhvillimet dhe do të përgjigjet me kohë në kuadër të kompetencave të saj, nëse vërtetohet se mjekë të caktuar nga kjo klinikë kanë kryer keqpërdorime që kanë shkelur parimet etike dhe kodin e deontologjisë mjekësore ose kanë shkaktuar dëme të drejtpërdrejta te pacientët në procesin e mjekimit.”, thanë nga Oda e Mjekëve e RMV-së.
 
Hetimet në këtë klinikë janë duke vazhduar, por nga atje bëjnë me dije se Policia për Krim të Organizuar vetëm ka konfiskuar kompjuterët, por zyrtarisht akoma nuk ka asnjë person të arrestuar.  
 
FITIM KRYEZIU