Botë

MPJ Gjermane: Gjermania nuk e përkrah idenë e Makronit për vizat

05.09.2023 16:18

Gjermania nuk e përkrah idenë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për mundësinë e rishikimit të vizave për Kosovën....

Gjermania nuk e përkrah idenë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për mundësinë e rishikimit të vizave për Kosovën. Siç raporton portali “Euroactiv”, Gjermania  përkrahë vendimin që kosovarët të udhëtojnë pa viza prej datës 1 janar të viti 2024. Një burim pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane i tha “Euractiv” se "Gjermania është subjekt i rregulloreve të miratuara nga BE-ja në prill të vitit 2023. Sipas tyre, shtetasit kosovarë do të mund të udhëtojnë  në të ardhmen  pa viza për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen (deri në 90 ditë brenda 180 ditëve).", citohet të ketë deklaruar burimi nga Ministria e Jashtme Gjermane. 
 
Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri bujë javën e kaluar kur sugjeroi se regjimi pa viza i Kosovës, i vendosur për të hyrë në fuqi nga 1 janari 2024, mund të rishikohet nga Parisi dhe Berlini, nëse Prishtina nuk dakordohet lidhur me tensionet e vazhdueshme me Serbinë. Por, siç raporton  “Euractiv”, Gjermania nuk është dakord me këtë.  Ata do t'i përmbahen afatit fillestar, duke sugjeruar një ndarje në qëndrimin midis dyshes franko-gjermane. Franca dhe Gjermania prej kohësh kanë pasur një qasje të koordinuar  ndaj Kosovës, duke dalë me qëndrime dhe deklarata të përbashkëta, përfshirë  edhe një nga planet e fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të quajtur jozyrtarisht  si “plani franko-gjerman”.
 
Sugjerimi se Franca dhe Gjermania do të rishikonin politikën e vizave shkaktoi tronditje  në Prishtinë. Pezullimi i vendimit për heqjen e regjimit të vizave do ta vriste dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë presidentja Vjosa Osmani, në një kundërpërgjigje ndaj presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Derisa raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kërkuar që liberalizimi i vizave të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi. Nëse vendimi aktual i institucioneve të BE-së mbetet në fuqi, që nga janari i vitit 2024 kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza.
 
GYLTENE SINANI