Botë
Tiranë, ekspozitë mbi veprimtarinë e Shën Terezës
05.09.2023 17:20
Një ekspozitë dokumentare e fotografike mbi veprimtarinë e Shën Terezës u çel sot nga Arkivi Qendror Shtetëror pranë Presidencës...

Një ekspozitë dokumentare e fotografike mbi veprimtarinë e Shën Terezës u çel sot nga Arkivi Qendror Shtetëror pranë Presidencës, në kuadër të përvjetorit të kalimit në amshim dhe të shenjtërimit të saj.
Për të nderuar shenjtoren, edhe si një figurë përbashkuese të kombit shqiptar, presidenti Bajram Begaj, priti homologen Vjosa Osmani. Krahas tyre, pjesë e vizitës ishte edhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Skender Asani, si dhe drejtuesi i Arkivit të Kosovës, Ajet Leci.
Prania e arqipeshkvit Arjan Dodaj dhe e përfaqësuesve të misionit të Nënë Terezës në Shqipëri, rikujtoi sërish misionin e bamirëses së përbotshme, kudo ku pati më shumë nevojë.
Në dorëshkrimet që ekspozohen, kryesisht janë letra të nisura përgjatë viteve ’80, ku dëshmohet atdhedashuria e saj. Njëherazi pasqyrohet edhe vizita e saj e parë në ’89-ën në vend, e më tej nderimet që i janë bërë prej Qeverisë sonë ndër vite.
LULJETA NDOKA
