Maqedoni

Shaqiri: Çështja e paraleleve shqipe në Veles u zgjidh

05.09.2023 17:46

Çështja e dy paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në Veles u zgjidh...

Çështja e dy paraleleve me mësim në gjuhën  shqipe në Veles u zgjidh, bën të ditur ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. 
 
“Mësimi në gjuhën amtare është e drejtë kushtetuese të cilën askush nuk mund ta mohoj. Nëse është faj që Ministria e Arsimit dhe Shkencës po i mundëson secilit mësim në gjuhën amtare, me punë intensive secilit nxënës po i ndërton shkollë në lagjen ku jeton, atëherë unë dhe kabineti im jemi fajtor. Ju njoftoj se Inspektorati Shtetëror i Arsimit është në teren dhe dy paralelet në ShMK "Koço Racin" në Veles, që i pengojnë dikujt, do të vazhdojnë të funksionojnë. Apeloj deri te të gjithë që kanë zërin e arsyes, të mos keqpërdorin çështjet arsimore për qëllimet e tyre politike. Pse duhet të na pengojë hapja e paraleleve ku do të fitohet dituri?”, shkruan ministri, Shaqiri.  
 
Arsimi shqip në Veles, reagojnë ASh-ja, Alternativa, Besa dhe LD-ja
 
Pas informacionit se nxënësit shqiptarë të Velesit nuk janë pranuar në gjimnazin “Koço Raçin” dhe janë detyruar të tërhiqen nga aplikimi, kanë reaguar partitë politike shqiptare. Kreu i ASh-së, Arben Taravari, tha se pamundësimi i mësimit në gjuhën amtare është shovinizëm klasik. 
 
“Në vitin 2023, në një komunë dhe nga disa parti në Maqedoni, pamundësohet mësim në gjuhën amtare fëmijëve të cilët i takojnë popullatës që është mbi 30% në këtë shtet! Kjo është shovinizëm klasik!”, shkruan Taravari në rrjetet sociale. 
 
Nga Alternativa shprehin shqetësimin e tyre se Maqedonia e Veriut po kthehet çdo ditë e më shumë në poligon serb për të eksperimentuar me arsimin shqip.  
 
“Ashtu si në fillim të viteve të ’90-ta, kur hapja e një paralele shqipe në një shkollë përbënte lajm vjetor, në Veles kjo po ndodhë në vitin 2023, kur kemi një ministër që identifikohet si shqiptar, kur është në pushtet një parti që disa herë ka pasur ministra shqiptarë të arsimit dhe një parti tjetër që ka përcaktor “Shqiptare”, thonë nga Alternativa. 
 
Nga Lëviza “Besa” kërkuan urgjentisht që të zgjidhet problemi me nxënësit shqiptarë të Velesit, ose ministri i Arsimit t’i marrë kompetencat kryetarit të komunës dhe të veprojë në emër të tij dhe ta zgjidh problemin me paralelet shqipe. 
 
Edhe nga Lëvizja Demokratike kërkojnë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë.
 
“Kjo është vetëm edhe një dëshmi se urrejtja ndaj shqiptarëve është më e fuqishme se një e drejtë e garantuar që ka të bëjë me arsimimin në gjuhën amtare. Jo vetëm kaq, por nga ky gjimnaz janë larguar edhe katër profesorë shqiptarë, ndërkaq 10 nxënës shqiptarë janë detyruar të regjistrohen në paralelet maqedonase.”, thonë mes tjerash nga LD-ja.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU