Botë
Ukrainë, Zelensky: Po përparojmë në drejtimin lindor dhe jugor
05.09.2023 18:11
Forcat ukrainase thonë se po përparojnë në drejtimin lindor dhe jugor të vendit....

Forcat ukrainase thonë se po përparojnë në drejtimin lindor dhe jugor të vendit. Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky ka vizituar ushtrinë në Donjetsk. Disa prej ushtarëve ai iu ndau çmime për guximin dhe angazhimin për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, teksa ka dëgjuar nga afër me se përballen ushtarët e tij në frontin e luftës.
“Më vjen shumë mirë që dëgjoj nga ata që po përballen drejtpërdrejt me luftën se çfarë mungon, çfarë kemi dhe çfarë duhet bërë dhe çfarë duhet ndryshuar. Çdo gjë që u fol do të diskutohet në mbledhjen e selisë, në veçanti çështja e luftës elektronike.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Erdogan shpreson në rinovimin e marrëveshjes së drithit
Ndërkohë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu optimizëm rreth rivendosjes së një marrëveshjeje vendimtare të grurit të ndërmjetësuar nga OKB-ja, pas bisedimeve të hënën me homologun rus, Vladimir Putin. Erdogan i ka kërkuar Rusisë të kthehet te marrëveshja që e lejon Ukrainën të eksportojë drithë, duke lehtësuar një krizë globale ushqimore. Por, Moska kërkon lëshime që vetëm Perëndimi mund t’i ofrojë. Moska e braktisi marrëveshjen, e cila krijoi korridore për eksportet ushqimore të Ukrainës mes një mungese globale ushqimi, në fillim të korrikut. Rusia u ankua se Perëndimi po bllokonte eksportet e veta të grurit.
FITORE DEMOLLI
