Maqedoni

Rasti "Spitali i Onkologjisë", Mickoski: Akti i pamundur, pa mbështetje politike

06.09.2023 14:04

VMRO-DPMNE vazhdon të akuzojë pushtetin për keqpërdorimin dhe vjedhjen e terapisë së pacientëve...

VMRO-DPMNE-ja vazhdon të akuzojë pushtetin për keqpërdorimin dhe vjedhjen e terapisë së pacientëve të sëmurë me kancer në Spitalin e Onkologjisë në Shkup. Sipas tyre, ky pushtet qëllimisht e ka lejuar që pacientët e prekur nga kanceri të vdesin. Me këtë skandal janë shkelur të drejtat e njeriut në mënyrë brutale. Ky akt, sipas kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është i pamundur pa mbështetje politike. Sipas tij, hetimi do të duhej të zgjatë 24 dhe jo të stërzgjatet, me qëllim që fajtorët sa më shpejt të dalin para organeve të drejtësisë dhe të dënohen me dënime drakonike.
 
“Askush nuk mund të më bind se disa personave punëtorë të shëndetësisë dhe 2-3 drejtorëve kriminelë u është kujtuar që në gjendjen e personave me kancer, që në vend se t’u japin trajtimin mjekësor, ato terapi t’i shesin dhe kontrabandojnë dhe në këtë mënyrë të përfitojnë. Askush nuk mundet të më thotë se janë vetëm ata, disa persona. Pa mbështetje të figurave politike në pozita të larta, kjo është e pamundur të realizohet.”, - deklaroi Hristijan Mickovski nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Përgjegjësi do të ketë! 
 
Ndërkohë, nga partia në pushtet LSDM-ja, sigurojnë se për të gjithë të involvuarit në këtë rast do të ketë përgjegjësi, askush nuk do të jetë i mbrojtur, pa marrë parasysh përkatësinë politike dhe etnike. Politizimi i rastit është i papranueshëm, thonë nga LSDM-ja. 
 
"Institucionet punojnë me qëllim zbardhjen e këtij rasti të tmerrshëm për të vënë para përgjegjësisë të gjithë të përfshirët. MPB-ja dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprime, të cilat po zbatohen në mënyrë profesionale, me qëllim të identifikohen personat që kanë shkelur ligjin, parimet etike dhe morale. Keqpërdorimi dhe politizimi i rastit për pika politike ditore janë të papranueshme.", thanë nga LSDM-ja.
 
PThP: Mbledhim prova, s'mund të japim detaje
 
Nga Prokuroria Publike njoftojnë se edhe më tej në mënyrë intensive po punojnë në zbardhjen e rastit, mirëpo për shkak të fazës në të cilën gjendet rasti, nuk mund të ndajë detaje me publikun. Po zhvillohen biseda me personat që mund të kenë ndonjë njohuri, ndërsa ka filluar edhe një pjesë e analizave të provave materiale.
 
FLORIJE KAMBERI