Botë
Kurti: Aleatët e Rusisë, pengesë për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi
06.09.2023 14:26
Aleatët e Rusisë me anë të dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike...

Aleatët e Rusisë me anë të dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Estoni në asamblenë “Open Government Partnership”, duke theksuar se këto veprime në Kosovë janë duke u intensifikuar.
“Në Kosovë, përpjekjet nga aleatët e Rusisë për të shtrembëruar të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen, janë të dukshme dhe po intensifikohen. Gjatë kohës së ndjeshme, kur shteti ynë është i përkushtuar në procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të normalizuar raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë, por edhe për përfshirjen e plotë të minoriteteve në proceset demokratike të shtetit, pa ndikim nga jashtë, këto kërcënime kibernetike, sikurse dezinformimi, bullizimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçmas përcaktuese.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Rusinë se po nxit aleaten e saj, Serbinë, të shkaktojë tensione në Kosovë, përkatësisht në veriun e banuar me shumicë serbe. Por, këto pretendime janë hedhur poshtë nga Kremlini. Por, edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë paralajmëruar për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e plotë të raporteve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të zhvillohet më 14 shtator në Bruksel.
GYLTENE SINANI
