Maqedoni
Besa, Alternativa, LD-ja: Ndryshimet në Kodin Penal shpëtojnë Gruevskin
06.09.2023 14:52
Qeveria i propozoi Kuvendit ndryshime në Kodin Penal, me të cilat ulen dënimet me burg për veprën e penale “Keqpërdorim i pozitës dhe pushtetit zyrtar”....

Qeveria i propozoi Kuvendit ndryshime në Kodin Penal, me të cilat ulen dënimet me burg për veprën e penale “Keqpërdorim i pozitës dhe pushtetit zyrtar”. Amendamentet e propozuara ligjore për Kodin Penal janë dorëzuar në Kuvend me flamur evropian dhe tashmë janë futur në rend dite. Lidhur me këtë ka reaguar opozita shqiptare. Në emër të Lëvizjes “Besa”, Alternativës dhe Lëvizja Demokratike, deputeti nga radhët e Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli, tha se kjo po bëhet me qëllim që ish-kryeministri Nikolla Gruevski të kthehet në Shkup pa therë në këmbë dhe të mos vuaj dënimet e shqiptuara.
“Arsyeja themelore se pse po bëhen këta ndryshime në Kodin Penal është që sa më shpejtë në Shkup të kthehet, pa therë në këmbë, Nikolla Gruevski. Opinioni ka të drejtë ta dijë, ndërsa kryeministri Kovaçevski dhe ministri Lloga këtë e kanë detyrim ta shpjegojnë, se nëse kalon ky propozim/ndryshim i Kodit Penal, ndërsa ata e kanë shumicën ta kalojnë, pas këtij, lirisht mund t’ia presin Nikolla Gruevskit edhe një biletë njëkahëshe Budapest-Shkup dhe të dalin ta presin me të gjitha nderimet shtetërore. Megjithatë, me këto propozim-ndryshime të Kodit Penal, që i propozon pushteti LSDM-BDI-ASh, të gjitha këto dënime të shqiptuara ndaj Gruevskit dhe ato që mund të vijojnë, bien në ujë. Për të gjitha lëndët që është gjykuar apo gjykohet, në mungesë, ai mund të kërkojë përsëritje të procedurës, ndërsa me këto ndryshime të Kodit Penal, të gjitha lëndët në këtë rast do të shpallen të vjetruara dhe Gruevski, eventualisht mund të gjykohet vetëm për lëndët “Tanku” dhe “Dhuna në Qendër” që nuk parashohin më shumë se tre vjet burg.”, - deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja “Besa”.
Sipas propozimit, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet duhet të shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetrimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë, theksojnë nga opozita.
FARIJE DAUTI BAKIJU
