Maqedoni
Mexhiti në Klinikën e Onkologjisë siguron pacientët që e marrin terapinë e duhur
06.09.2023 15:36
Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i siguron pacientët se terapia që e marrin në Klinikën e Onkologjisë...

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i siguron pacientët se terapia që e marrin në Klinikën e Onkologjisë është e sigurt dhe e përshtatshme. Ai këtë prononcim e bëri pas pjesëmarrjes në takimin konziliar profesional të Klinikës së Onkologjisë. Gjatë vizitës në Klinikë, Mexhiti ka biseduar edhe me shumë pacientë, të cilëve u ka thënë se asgjë në asnjë moment nuk duhet të thyejë besimin që kanë fituar te mjeku i tyre dhe që është aleati i tyre në betejën me sëmundjen e ligë.
“Terapia është cilësore, ajo është terapia që duhet ta pranojë secili pacient, nuk ka kurrfarë lëshimi në këtë, nuk mund të pështyhen të gjithë mjekët, ju e dini se këto mjek i lënë edhe fëmijët dhe familjet që të jenë pranë jush. Ju e dini se këto janë sëmundje të komplikuara. Të mos keni asnjë pikë dyshimi se nuk jepet terapi apo bëhet diçka, unë jam garanci për këtë.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Pacientët: Kemi dyshime për terapinë që marrim
Por, si ndjehen pacientët pas skandalit lidhur me terapinë në Klinikën e Onkologjisë?
“Jam operuar para dy muajsh dhe e di se duhet të marr terapi, por jam shumë e hutuar, nuk di çfarë të mendoj. Kam ardhur, por erdha me frikë, çfarë do të bëhet do të shohim.”, - u shpreh një paciente.
“Sipas simptomave që i kisha pas terapisë, shpresoj se kam marr hemoterapi të mirë, por me ngjarjet aktuale, pak jemi skeptik. Ndoshta nuk kemi marrë mjaftueshëm terapi, ndoshta ka pasur diçka, por ndoshta nuk ka qenë e mjaftueshme.”, - u shpreh një paciente tjetër.
“Kisha motrën paciente në Onkologji për shumë vite. Para dy vitesh kemi vërejtur se kur e merrte hemoterapinë nuk ishin reagimet siç ishin vitet e kaluara, nuk ndjente plogështi apo vjellje. Sikur asgjë të mos kishte pranuar. Edhe ajo befasohej pse nuk ka reagim nga hemoterapia kësaj radhe, çfarë po më japin? Dhe filloi ngadalë të bie.”, - tha një familjare.
Nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se mbahet evidencë elektronike për çdo ilaç që futet në klinikë. Ekziston kartelë e artikujve me të dhëna për pacientin, kontrollet dhe sasinë e ilaçit të pranuar.
SANIJE DURAKU
