Maqedoni
Pensionistët vazhdojnë protestat, në MPPS, takimi i grupit të punës për pensionet
06.09.2023 16:38
Pas më shumë se një muaj protestë nga ana e pensionistëve...

Pas më shumë se një muaj protestë nga ana e pensionistëve, më në fund kanë nisur aktivitetet për zgjidhjen e problemeve të tyre. Çështjet në lidhje me standardin e pensioneve do të zgjidhen nga përfaqësues të disa ministrive, ndërsa Ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale bëri të ditur se të gjitha propozimet do të hidhen në tryezë dhe do të shqyrtohen.
“Grupi i punës ka për detyrë ta shqyrtojë situatën me pensionet dhe standardin e pensionistëve. Është shumë e rëndësishme që gjatë propozimit të masave dhe zgjidhjeve ligjore për sigurimin pensional apo ndryshimet e tij, të merret parasysh stabiliteti i sistemit të pensioneve dhe që pensionet të vazhdojnë të paguhen në kohë dhe në mënyrë të rregullt.”, - deklaroi ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jovanka Trençevska.
Pas takimit, nënkryetari i Shoqatës së Pensionistëve tha se është diskutuar për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, e cila nuk do të shkaktojë probleme në financimin e Fondit PIOM.
“Në një atmosferë mirëkuptues për problemet që i hasin pensionistët dhe përmes përpjekjes premtuese të të gjithë anëtarëve të këtij grupi punues, do të gjendet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme, e cila do t’u ndihmojë të gjithë pensionistëve që gjenden në kufirin e rrezikut social.”, - theksoi nënkryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Mile Nedelkovksi.
Nga ana tjetër, pensionistët vazhdojnë protestat. Kërkojnë që pensioni minimal të jetë i njëjtë me pagën minimale dhe rritje lineare të pensioneve për 3,500 denarë.
“Kam përvojë pune, gjithçka kam, por marr 14,500 denarë pension për 40 vite punë.” – u shpreh një pensionist.
“Kërkojmë 3,500 denarë rritje lineare të pensioneve. Nga kjo kërkesë nuk do të heqim dorë.”, - tha një pensioniste.
Sipas deklaratave të MPPS-së, grupi punues i krijuar nga Qeveria, do të punojë për amendamente apo zgjidhje të re ligjore për sigurimin pensional dhe invalidor, për pensionin minimal dhe masat sociale për pensionistët me pension të ulët.
SANIJE DURAKU
