Maqedoni

Rehabilitimet në autostradën Shkup-Tetovë, ekipi qeveritar realizoi mbikëqyrje

06.09.2023 17:22

Zbatimi i projekteve infrastrukturore qeveritare, ndërtimi i mekanizmave mbrojtës...

Zbatimi i projekteve infrastrukturore  qeveritare, ndërtimi i mekanizmave mbrojtës  dhe barrierave të zërit në autostradën Shkup–Tetovë dhe të gjitha punimet që përfshihen në kuadër të ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10 ishin nën mbikëqyrjen e zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, ministrit të Transportit, Boçvarski dhe drejtorit të ndërmarrjes “Rrugët shtetërore”, Rustemi.  Zëvendëskryeministri Grubi numëroi aktivitetet qeveritare për përmirësimin e autostradave dhe rrugëve tjera.
 
“Në mes shtatorit fillojnë ndërtimet nga ana e konzorciumit “Bechtel&Enka”, me shpërthimin e parë që do të ndodhë në Gostivar dhe do ju ftojmë ta ndjekim atë ngjarje. Njëkohësisht po bëhet  edhe ndërtimi i mekanizmave mbrojtës në autostradat tona, si dhe ndërtimi i rrugëve siç është rruga Shkup-Bllacë, Podmol-Strugë-Qafë Thanë, Rruga e Arbërit, Korridori 8 dhe 10, vendkalimi kufitar me Shqipërinë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
 
Aktivitetet janë në drejtim të përmirësimit të cilësisë së rrugës infrastrukturore dhe në përmirësimin e kushteve për udhëtim, tha ministri i Transportit, Boçvarski.
 
“Rrugët e sigurta janë prioriteti ynë dhe interesi ynë  më i lartë. Praktikisht, në të gjitha anët  e shtetit punohet me dinamikë të mirë. Ajo që ka qenë lëshim në të kaluarën në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës, e kthejmë sot, përmes rrugëve të Korridorit 8 dhe 10-D dhe rrugëve eksprese që ndërtohen.”, - theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.
 
Nga ndërmarrja “Rrugët shtetërore” janë siguruar 7,5 milion euro për përmirësimin  e pjesës së dëmtuar të autostradës Shkup-Tetovë, tha drejtuesi i ndërmarrjes, Ejup Rustemi. Premtoi realizimin e sinjalistikës Zhelinë-Jegunovcë dhe Tetovë-Jashincë, modernizimin e qarkores në Tetovë dhe standardizimin e  pikave pagesore. Rustemi foli edhe për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.
 
“Nuk kemi folur shumë, por  kemi bërë shumë punë në rrugën Tetovë-Prizren. E kemi bërë studim fizibilitetin. Ministria e Transportit është në komunikim me Kosovën dhe version i parë për marrëveshje është dorëzuar në Kosovë dhe besojmë se deri ka fundi i shtatorit do t’i kemi marrëveshjet për projektimin e tunelit.”, - u shpreh drejtori i ndërmarrjes “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi.                                                                    
Zyrtarët qeveritarë siguruan se Qeveria është e përkushtuar  të rehabilitojë të gjitha rrugët e shtetit me standarde evropiane.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU